Deputetët do të kenë nga një asistent personal, paga 600 euro
120 deputetët të Kuvendit të Kosovës, me rregulloren e re, do t’u mundësohet që secili nga ta të ketë nga një këshilltar, konkretisht zyrtar ekzekutiv me pagë mbi 600 euro.
Ky propozim ka marrë dritën jeshile nga pozita dhe opozita. Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku është deklaruar rreth kësaj teme.
Sipas tij, tani deputetët do ta kenë mundësinë që të angazhojnë staf mbështetës për të mbështetur deputetët e tyre. Në një prononcim për “Indeksonline”, ai ka thënë se kjo është praktikë evropiane.
“Në vendet e perëndimit janë deri 5 këshilltar, kanë staf mbështetës që e mbështesin deputetin, në hartimin e legjislacionit, hulumtimeve profesionale, etj.
“Besojë se në këtë aspekt jemi të vonuar sepse ne ishim dashur të kemi më herët si Kuvend. Është një vendim i duhur dhe besojë se ka pas pajtueshmëri nga të gjitha partitë politike”, u shpreh ai.
Kujtojmë se kjo rregullore, e cila është miratuar muajin e kaluar, ndër të tjera parasheh edhe emërimin e stafit për kryetarët e Komisioneve Parlamentare, si dhe nënkryetarët e Kuvendit.
Po ashtu, secili Grup Parlamentar deri në 10 deputetë ka të drejtë të angazhoj një këshilltar politik, ndërsa Grupet Parlamentare prej 11 deri 20 deputetë kanë të drejtë t’i angazhojnë dy këshilltarë politikë.
Ndërsa, Grupi Parlamentar siç është ai VV-së më mbi 50 deputetë ka të drejtë t’i angazhojë 6 këshilltarë politikë që secili prej tyre do të paguhet mbi një mijë euro.
Në këtë rregullore po ashtu parashihen edhe shtesa ekstra për deputetët dhe stafin mbështetës politik. /Indeksonline/