24-11-2024

Deputetët e Bundestagut e përgëzojnë policinë për reagimin e matur në Banjskë më 24 shtator

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi priti në takim një delegacion të përbërë nga deputetë të Bundestagut gjerman. Deputetët gjermanë u shoqëruan në këtë takim dhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Në njoftimin e lëshuar nga qeveria thuhet se Bislimi i falënderoi deputetët gjermanë për vizitën në Kosovë, duke shprehur mirënjohjen për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në shtetndërtimin e Kosovës, progresin dhe zhvillimin e vendit.

“Ai i prezantoi më tej deputetët me situatën në vend dhe objektivat e synimet e qeverisë, duke veçuar ato në integrimin evropian si proces me prioritet të lartë për vendin tonë, si dhe të arriturat në rrafshin ekonomik në indikatorë relevantë dhe atë të sundimit të ligjit”.

“Bislimi theksoi se secilën politikë të cilën po e zbatojmë, e ka vetëm një qëllim, e atë në përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve të vendit”, thuhet në njoftim.

Më tej u cekën dhe tema si arritja e liberalizimit të vizave, bashkëpunimi rajonal, procesi i dialogut dhe akti i agresionit të Banjskës. Mbi këtë të fundit, deputetët Josip Juratoviq dhe Thomas Hacker, përgëzuan Policinë e Kosovës për reagimin e matur dhe shfaqën shqetësimin për arsenalin e madh të armatimit të gjetur.

Asnjë koment

Comments are closed.