Deputetët që u dënuan nga votuesit
Një numër i konsiderueshëm i deputetëve, që për disa mandate radhazi kanë shërbyer në Kuvendin e Kosovës, nuk do të jenë pjesë e legjislaturës së shtatë, meqë nuk kanë arritur ta marrin besimin e elektoratit të subjekteve përkatëse. Megjithëkëtë, ata kanë pohuar se e pranojnë vullnetin e qytetarëve, pavarësisht faktit që angazhimet e tyre tash e tutje do t’i vazhdojnë jashtë Kuvendit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do t’i shpallë rezultatet përfundimtare gjatë ditës së sotme në rast se subjektet politike nuk do ta paraqesin asnjë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Meqë tashmë ka përfunduar numërimi i të gjitha votave, pritet që LVV-ja t’i marrë 32 ulëse në Kuvendin e Kosovës, LDK-ja 29 sosh, PDK-ja 25 mandate, ndërkaq AAK-ja 14 ulëse gjithsej.
Por një numër i madh i deputetëve, të cilët për vite me radhë ishin pjesë e Parlamentit, nuk ia dolën që këtë herë ta marrin besimin e elektoratit për t’u bërë pjesë e legjislaturës së shtatë të Kuvendit.
Ismajl Kurteshi, Sami Kurteshi e Xhelal Sveçla nga LVV-ja, Ismet Beqiri e Naser Rugova nga LDK-ja, Xhavit Haliti e Hajdar Beqa nga PDK-ja, Ahmet Isufi e Muharrem Nitaj nga AAK-ja, Visar Ymeri, Dardan Molliqaj e Dardan Sejdiu nga PSD-ja janë vetëm disa prej ish-deputetëve që nuk do të jenë pjesë e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës./ex