Deputeti Rasim Demiri dhe i akuzuari tjetër dënohen për përdorim të armës
Deputeti nga koalicioni VAKAT, njëherit ish-ministër i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri dhe i akuzuari Mersit Pangji, të mekurën, janë shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren, për përdorim të armës.
Sipas procesverbalit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, bëhet e ditur se Demiri fillimisht është dënuar me 4 muaj burgim për përdorim të armës, mirëpo me pëlqimin e tij dënimi me burg është zëvendësuar në atë më gjobë, në shumën prej 900 euro.
Kurse, i akuzuari Pangji është dënuar me 1,100 euro gjobë për dy veprat penale, ku për armëmbajtje pa leje është dënuar me 500 euro gjobë, kurse për përdorim të armës fillimisht është dënuar me 4 muaj burgim, mirëpo me pëlqimin e tij dënimi me burg është zëvendësuar në atë më gjobë, në shumën prej 600 euro.
Të njëjtit i është konfiskuar edhe pushka gjysmë automatike dhe 19 fishek të kalibrit të panjohur, si mjet i kryerjes së veprës penale.
Sipas aktgjykimit, dënimet më gjobë duhet të paguhen 15 ditë pas plotfuqishmërisë së të njëjtit.
Ndryshe, aktgjykimi ndaj tyre është shpallur nga gjykatësja Ajser Skenderi, pasi e njëjta ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, që të akuzuarit kane lidhur me Prokurorinë Themelore në Prizren.
Prokurori Genc Nixha, sipas procesverbalit, ka deklaruar se pranimi i fajësisë është bërë konform ligjit dhe me vullnetin e të akuzuarve.
Një gjë të tillë kishin deklaruar edhe vet të akuzuarit, Demiri dhe Pangji.
Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, Mersit Pangji akuzohet se më 30 mars 2020, rreth orës 16:00 në fshatin Pouskë të Komunës së Prizrenit, ka poseduar armë zjarri, pushkë gjysmë – automatike dhe nëntëmbëdhjetë (19) fishekë të kalibrit të panjohur, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët.
Sipas aktit akuzues, i akuzuari Pangji, me datë, kohë dhe vend të njëjtë, ka përdorë armë zjarri, pushkën gjysmë – automatike, në një shenjëtore të improvizuar në fshatin Pouskë, i shoqëruar me të pandehurin Rasim Demiri, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët.
Me këto veprime, i Pangji akuzohet se ka përmbushur elementet e veprave penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” .
Kurse sipas aktakuzës, Rasim Demiri akuzohet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë, ka përdorë armë zjarri, pushkën gjysmë – automatike, në një shenjëtore të improvizuar në fshatin Pouskë, shoqëruar me të akuzuarin Mersit Pangji, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët.”.
Me këto veprime, i pandehuri Demiri akuzohet se ka përmbushur elementet e veprës penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”./BetimipërDrejtësi