24-11-2024

Derbi: Ballkani shtang Dritën

Janë mbyllur tri ndeshjet e fundit të javës së 33-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Ballkani e ka fituar derbin e sezonit duke mundur në udhëtim Dritën, me rezultat 1-2, të dielën në Gjilan.

Dueli mes dy pretendentëve për titull të kampionit, është zhvilluar në një atmosferë fantastike nga tifozët që ishin në tribuna, derisa futbollistët e të dy skuadrave prodhuan lojë mjaft të mirë, ku u shënuan tri gola.

Kampionët në fuqi kaluan në epërsi përmes Korenicës (11’), derisa Jashari (44’), barazoi shifrat në 1-1, duke e rikthye në lojë skuadrën e Dritës.

Të dy skuadrat në fraksionin e dytë të kësaj sfidë, e kërkuan golin e fitores, derisa ishte skuadra e Ilir Dajës, e cila më anë të Dellovës (85’), gjeti golin e dytë dhe të fitores për skuadrën nga Suhareka. Pas kësaj fitore, Ballkani ka 66 pikë aq sa ka edhe Drita në krye të tabelës.

Ndërkaq, përballja mes Prishtinës dhe Gjilanit, sfidë kjo që ishte tejet e rëndësishme në garën që çon në Evropë, është mbyllur pa gola, takim ky i zhvilluar në ‘Fadil Vokrri’. Gjilani mbetet në pozitën e tretë me 51 pikë, kurse, Prishtina renditet e katërta me 44 pikë.

Pa gola është mbyllur edhe dueli mes Llapit dhe Ferizajt, ndeshje kjo e zhvilluar në ‘Zahir Pajaziti’.

Ky rezultat është një hap prapa për llapjanët në garën për të siguruar një vend që dërgon në Evropë, derisa ferizajasit marrin një pikë të madhe në garën për të siguruar ekzistencën në elitën e futbollit tonë./rtklive

Asnjë koment

Comments are closed.