Pas bastisjes, veprim ky të cilin e ka konfirmuar Policia për Gazetën Insajderi, institucioni i sigurisë ka zbuluar se çfarë prova të reja ka gjetur.
Ndërsa sot, është zbuluar gjetja e një provë e re, e cila do t’i shërbejë institucioneve kompetente në zbardhjen e rastit.
Bëhet fjalë për një DVR (regjistrues videosh) i cili është gjetur në shtëpinë e Dibran Hoxhaj, gjatë bastisjes së djeshme, konfirmon Policia e Prizrenit për Gazetën Insajderi.
“Është gjetur një DVR, por nuk dihet nëse është e lokalit ku dyshohet të ketë nisur sherri. Pasi të bëhet ekzaminimi në Forenzikë në Prishtinë, ne mund të dalim me një raport”, ka thënë Shaqiri Bytyqi për Gazetën Insajderi.
Pardje në orët e para të mëngjesit, nga të shtënat me armë zjarri ka vdekur një 31-vjeçar dhe një 27 vjeçar ka mbetur i plagosur pas një sherri, në një lokal në Prizren.
Dyshohet se biznesmeni Dibran Hoxhaj, ka qëlluar me armë zjarri drejt tre të rinjve nga Kukësi, teksa ata ishin duke u larguar me makinë nga lokali.
Plumbat kanë prekur dy prej të rinjve, ndërsa i kanë marrë jetën Visart Cengut dhe kanë plagosur Rufgen Shehun.
Visart Cengu është 31 vjeçari që ndërroi jetë rrugës për në spitalin e Kukësit. Ndërsa Rufgen Shehu sipas policisë ndodhet në spitalin e Kukësit jashtë rrezikut për jetën.
Shoku i tyre, Arben Basha ka deklaruar në polici se ndaj tyre ka qëlluar Dibran Hoxhaj në momentet që ata po largoheshin me automjet nga lokali.
Kundër të dyshuarit kryesor Dibran Hoxhaj, i njohur si “Kobra”, dhe të tjerëve është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh./Gazeta Insajderi/
Lexo edhe:
Prizren/ Këshilli Prokurorial kërkon raport për Kobrën: Nëse ka pasur lëshime do të ketë sanksione