25-04-2025

“Enver Sekiraqa e kishte rrahur Adelina Ismajlin”, çka tha dëshmitari në rastin e vrasjes së Triumf Rizës?

Dëshmitari Blerim Shala, gjatë dhënies së dëshmisë në procesin gjyqësor ndaj Ilir dhe Rrahim Abdullahut, të akuzuar për vrasjen e policit Triumf Riza, tha se ky i fundit i kishte treguar se Enver Sekiraqa e kishte rrahur Adelina Ismailin.

“Kush e ka rrahur?” – pyeti anëtarja e trupit gjykues, Violeta Bajra-Namani. Dëshmitari Shala u përgjigj: “Enver Sekiraqa.”

Paraprakisht, Shala sqaroi se si Riza e kishte njoftuar se Adelina Ismaili kishte shprehur shqetësime te ai për shkak të Enver Sekiraqës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shala tha se nuk i kujtohet të ketë pasur probleme të tjera mes Enver Sekiraqës dhe Triumf Rizës, dhe se problemet ndërlidheshin për shkak se Riza ishte polic.

Gjatë dëshmisë, dëshmitari Shala ka treguar në detaje se si Riza ishte përndjekur nga grupi i “Sekiraqës”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Ilir Abdullahu i njohur me nofkën “Liza”.

Abdullahu akuzohet se në bashkëkryerje me tani të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, si dhe të pandehurin Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, si grup i organizuar nga Sekiraqa, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Triumf Riza, për arsye se tani i ndjeri, më 24 dhjetor 2005 në lokalin “Sëiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur tani të dënuarin Sekiraqa, ku ky i fundit kishte qenë i shtrirë në spital, se pas njoftimit me Adelina Ismailin, i njëjti nuk ka lejuar që t’i japë reket- të holla si më parë.

Asnjë koment

Comments are closed.