Dëshmitari thotë se Haradinaj i dha leje për t’i marrë dokumentet që u prezantuan në konferencën e OVL-UÇK-së
Halil Berisha, i cili ka qenë gazetar dhe redaktor në Gazetën “Infokus”, e që është dëshmitari i dytë në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, ka thënë se ky i fundit i ka dhënë leje që t’i marrë dokumentet që u prezantuan në konferencën e OVL-UÇK, të mbajtur më 7 shtator 2020.
Dëshmitari Berisha ka thënë se në shtator të vitit 2020 ka punuar në gazetën “Infokus” si gazetar dhe redaktor, ku ka gjetur tema, ka shkruar tema dhe në raste të caktuara ka redaktuar tekste, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kjo gazetë, ai tha se zyrat i kishte në qendër të Prishtinës, përballë sheshit “Bill Clinton”, kurse shtoi se për momentin nuk e ushtron profesionin e gazetarit dhe se punën e ka lënë në shtator të vitit 2020, për shkak të studimeve në Gjermani.
I pyetur se a ka shkruar për OVL-UÇK dhe a ka pasur kontakt profesional, dëshmitari tha se si gazetar që ka shkruar, ka kontaktuar edhe për personat që kanë qenë pjesë e asaj teme.
Tutje, ai ka konfirmuar se ka qenë i pranishëm në konferencën për shtyp të OVL-UÇK, të mbajtur me 7 shtator 2020, ndërkaq nga prokuroria është kërkuar të përgjigjet se si ka dëgjuar apo marrë vesh për këtë konferencë.
Sipas tij, një nga gazetarët ka treguar që ka mundësi që OVL-UÇK të thirrë një konferencë për medie, pastaj ai është interesuar dhe ka dalë njoftimi që do të ketë konferencë për medie, ku edhe ka marrë pjesë.
Dëshmitari po ashtu tha se pasi mori këtë informacion, e ka kontaktuar Nasim Haradinajn.
“Nuk është që më kujtohet saktësisht, megjithatë me aq sa më kujtohet e kam pyet se kemi informata se keni me mbajt një konferencë për medie dhe a është e vërtetë që ka me u mbajt një konferencë e tillë”, ka thënë ai.
Kurse, tha se Haradinai ka thënë se do të dalin me njoftim publik, ku do të tregojnë nëse ka diçka dhe nëse po, atëherë mund të marrin pjesë.
Dëshmitari Berisha deklaroi se në këtë konferencë për shtyp kanë qenë rreth 10 gazetarë.
Në konferencën për shtyp, ai tha se siç shihet edhe në video që është online, kanë folur Nasim Haradinaj e Hysni Gucati, për dokumentet që i ka sjellë një person i panjohur në zyrën e OVL-së.
Prokurori ka kërkuar të informohet se çfarë thanë ata lidhur me dokumentet.
“Që pa pritë nuk e kanë ditë që ka m’i sjellë dikush dokumentet, i ka sjellë në mëngjes dhe ato po i prezantojnë në konferencë për medie”, ka thënë dëshmitari, i cili shtoi se dokumentet thuhej se ishin prej Gjykatës Speciale.
Disa pjesë të caktuara të një videoje të kësaj ngjarje, janë treguar në seancë private me kërkesë të prokurorit.
Më pas, ai e pyeti dëshmitarin se a ishte konferenca ku ai ka marrë pjesë, e këtë e konfirmoi dëshmitari.
Kur iu kërkua të identifikojë personat që u panë, dëshmitari tha se ishin Gucati e Haradinaj, ndërkaq emrin e personit të tretë tha se nuk e di.
“Gazetarët dhe kameramanët si çdo konferencë tjetër ku shfaqen dokumentet janë afru me fotografu dhe xhiru çka përmbajnë dokumentet, për shkak të pamjeve që iu kanë nevojitë”, ka thënë dëshmitari Halili.
Tutje, theksoi se numri i dokumenteve ishte goxha i madh dhe nuk e dinin saktë çka mundet të ketë aty.
“Nuk kish pas mundësi m’i xhiru krejt dhe kështu kam kërkuar një pjesë të dokumenteve”, ka thënë dëshmitari.
Nga ai u kërkua të përgjigjet se nga kush u kërkua kopje e dokumenteve.
“Isha aty afër bashkë me gjithë gazetarët dhe personat që kanë udhëheq konferencën dhe aty veç kam pyet se a mundem me marrë një pjesë të dokumenteve. Nuk është se iu drejtova dikujt specifikisht, por aty ishin personat që e udhëheqnin konferencën dhe në drejtim të tyre e bëra pyetjen”, ka thënë ai.
Sipas tij, i ishte lejuar që t’i merrte dokumentet dhe këtë ia kishte thënë Nasim Haradinaj dhe shtoi se përafërsisht ka marrë diku rreth 1000 faqe ndoshta dhe se pasi i ka marrë ka dalë nga zyra ku është mbajtur konferenca.
Dëshmitari Halil Berisha u pyet nga prokuroria se kur Haradinaj i dha leje t’i merrte dokumentet, a i kishte thënë diçka tjetër lidhur me to.
“Kontakti ka qenë shumë i shkurt, veç kur i kam marrë dokumentet kanë qenë një numër i madh i tyre dhe ka qenë problem me i pas të gjitha me i mbajt në dorë, kështu që kam kërku diçka për me i fut dokumentet një qese apo diçka të tillë”, ka thënë Halili.
Tutje, deklaroi se i është thënë që ka shumë dokumente dhe numri i kopjeve është i vogël dhe nuk ka për të gjitha mediet.
“Më është thënë përderisa ka shumë dokumente, numri i kopjeve që janë aty është i vogël dhe nuk ka për të gjitha mediet, kështu që nëse mundet m’i kërku një medie tjetër që mos me i pas veç une, nëse është e mundshme me bashkëpunu edhe me ta, me mediet e tjera”, tha ky dëshmitar.
Të njëjtit iu kërkua nga prokuroria që të shpjegojë se çfarë do të thotë që të bashkëpunojë me medie të tjera, pasi nuk kishte shumë kopje.
“Thash që ka pasë shumë medie dhe nuk ka pas kopje për të gjitha mediet, kur e kam bërë kërkesën me i pas dokumentet dhe m’u kanë dhënë këto dokumente, mediet tjera kanë mbet pa dokumente të tilla dhe më është thënë se nëse dikush prej medieve i kërkon, atëherë me ua dhënë edhe atyre” , ka thënë Halili.
Dëshmitari deklaroi se kur u largua nga konferenca për shtyp, duke qenë se ka pasur një numër të madh të dokumenteve, ka menduar që mundet të vijë dikush nga zyra ta marrë dhe i është dashur të pres, ka pritur në një byfe të OVL-UÇK, afër aty, në objekt.
Halili është pyetur se kur inspektuan dokumentet çfarë është parë aty, e ai tha se ka qenë problem pasi numri i tyre ka qenë i madh dhe ka qenë renditja e ç’rregullt, kështu që ka qenë pak a shumë problematike të kuptojë se çka saktësisht ka aty.
Ai tha se nuk ka pasur ndonjë mjet që të klasifikojë se a janë dokumentet konfidenciale apo jo, megjithatë tha se nëse disa faqe ka qenë shkrimi se janë të klasifikuara.
Po ashtu, atij i është kërkuar të tregojë se pas sa kohë kishin që shihnin dokumentet, para se të shihnin klasifikimet.
“Në fakt ka qenë njëherë derisa i kemi shpërnda dokumentet në zyrë me këqyr se çfarë ka, po besoj pas gjysmë ore ose 45 minuta nashta”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka rrëfyer se çfarë ka bërë më pas, pasi i ka parë shenjat e konfidencialitet.
Sipas tij, dokumentet në fjalë i kanë vendosur në hapësirën më të sigurt në gazetën “Infokus”, në zyrën ku qëndrojnë drejtori dhe administrata dhe ku janë dokumentet financiare të kompanisë dhe shtoi se nuk kanë ndonjë vend të veçantë për dokumente të rëndësishme.
Dëshmitari tutje tha se sa këto materiale kanë qenë në posedim të kësaj gazeta, nuk është shtuar as hequr asnjë dokument.
“Kemi shkruar dy herë me ZPS, ata kanë qenë të njoftuar për dokumentet që i posedojmë, i kemi pyet a janë prej adresës që shkruhet që janë dhe a janë në dijeni ata për këto dokumente”, ka thënë ky dëshmitar.
Sipas tij, me aq sa di ai, nuk ka pasur ndonjë burim tjetër për këto dokumente, kurse konfirmoi se më 9 shtator 2020, kanë ardhur dy hetues të ZPS-së për të marrë dokumentet.
“Kanë qëndru rreth 1 orë para se me i pa dokumentet, u kemi kërkuar kartelë identifikimi për me ditë sigurt që janë personat që janë prezantu, na kanë prezantu dokumentet e identifikimit që kanë qenë të ZPS, kanë kërku dokumentet, i kanë pa, kanë kërku me i marrë dokumentet, pastsj i kanë marrë dokumentet dhe kanë shkuar”, ka thënë Halili.
Tutje, ky dëshmitar deklaroi se përveç kur janë bërë arrestimet, në konferencat e tjera nuk ka marrë pjesë.
“Unë nuk kam marrë pjesë në asnjë konferencë për shtyp tjetër, ndërkaq nga personat e tjerë të gazetës “Infokus” me aq sa e di unë, nuk ka marrë pjesë askush”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo sepse kjo gazetë nuk është medie me shumë gazetarë dhe kryesisht punojnë prej zyrës dhe e kanë përcjellë konferencën e parë dhe kanë vendosur mos të shkojnë në të tjerat.
Berisha u pyet se në cilësinë e gazetarit, a ka shkruar artikuj në shtyp lidhur me këto konferenca të shtypit të OVL UÇk, në shtator të 2020-ës.
Për këtë, dëshmitari ka thënë se ka shkruar artikuj në shtyp lidhur me këto konferenca të shtypit të OVL-UÇK në shtator 2020, e nga prokuroria i është kërkuar të tregojë sa artikuj përafërsisht.
“Nuk mundem të them një numër të caktuar, sepse brenda ditësh nuk jemi marrë veç me një temë, brenda ditës zakonisht i kam shkruar 30-40 arikuj, kështu që është problem me mbajt mend një artikull të caktuar”, ka thënë ai.
Ndërsa shtoi se ky numër i artikujve jo domosdoshmërisht ishte lidhur me aktivitetet e OVL-UÇK-së në shtator 2020, pasi kanë përcjellë shumë aktivitete dhe shumë ngjarje, e janë marrë me shumë tema njëkohësisht.
“Është prapë shumë vështirë me përcaktu sa kam shkru, se si thash rreth 30-40 kam shkru brenda ditës, s’kisha thënë që kam shkru ma shumë se 10 artikuj gjatë gjithë muajit, por nuk e di sigurt, mundet me ndryshu numri”, ka thënë ai.
Dëshmitari ka konfirmuar se kanë publikuar artikuj me dokumentet që i ka marrë personalisht.
“Aq sa më kujtohet dhe jam goxha i sigurt që tekstet që i kemi shkruar për dokumentet, kanë qenë veç gjatë kohës që kemi posedu, pas kësaj kemi vazhdu me shkru për këtë punë, por nuk kemi shkru për dokumente specifike pasi s’i kemi pas”, ka thënë ai.
Po ashtu, atij iu tregua një artikull, për të cilin tha se si shkruan te autori, është emri i tij dhe është autor i tekstit, ndërkaq i njëjti tekst është redaktuar nga redaktori para se të publikohet.
“Nuk di datë, një kohë të saktë, po zakonisht tekstet që i publikojmë janë të shkruara brenda ditës, këtu po shkruan 7 shtator, me siguri ka qenë ajo ditë”, ka thënë ai.
Tutje, i është lexuar një pjesë ku thuhet ”Gazeta Infokus ka siguruar të dhëna me anë të cilës forca speciale hetimore në kuadër të speciales ka kërkuar dëshmi e fakte në Serbi”.
Prokuroria ka pyetur se kjo fjali a ka të bëjë me materialet që ka marrë nga OVL-UÇK dhe këtë e konfirmoi dëshmitari se është një prej dokumenteve që ka qenë pjesë e dosjes.
Nga dëshmitari është kërkuar të di se çfarë përshkruan fotografia që i tregohet, e dëshmitari tha se është fotografia e atij dokumenti që flet për tekstin që kanë shkruar dhe nga i cili i kanë fshehur disa të dhëna që kanë mundur të jenë ndoshta të ndjeshme.
Dëshmitari konfirmoi se është autor edhe i një artikulli tjetër ku ësjtë emri i tij, që i është treguar dhe se është i redaktuar nga redaksia e “Infokus”.
Nis dëgjimi i dëshmitarit të dytë në gjykimin ndaj Gucatit dhe Haradinajt në Hagë
Në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, Halil Berisha, i cili ishte gazetar dhe redaktor në gazetën “Infokus”.
Dëshmitari tha se nuk është i lumtur që sot gjendet në atë gjykatë, por do ta thotë të vërtetën, raporton “Betimi për Drejtësi”
“Desha të them se nuk jam shumë i lumtur që sot jam këtu për të dëshmuar para jush, kjo nuk do të pengojë faktin të them të vërtetën, jam këtu dhe më keni obliguar, por nuk jam i lumtur që jam këtu”, tha Berisha.
Dëshmitari u pyet se ku ka punuar në shtator të vitit 2020, e për këtë tha se ishte i punësuar në gazetën “Infokus”, si gazetar dhe redaktor.
Mbrojtës i Berishës do të jetë avokati Arianit Koci.
Pumper dëshminë e saj e ka filluar më 18 tetor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.
“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.