24-11-2024

Dëshmitarja e parë fillon të përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit

Dëshmitarja e parë në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ish-presidentit Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, ka vazhduar të mërkurën dhënien e dëshmisë, duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes së Hashim Thaçit.

Seanca është duke vazhduar në sesion privat, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, gjatë seancës së djeshme, dëshmitarja është përgjigjur pyetjeve të ZPS-së, e cila seancë po ashtu është mbajtur në sesion privat.

Ndërkaq, para se të paraqitej dëshmitarja në sallë, mbrojtësi i Thaçit, avokati Lluka Mishetiq, ka dorëzuar një provë të re materiale, provë e cila nuk u kundërshtua nga ZPS-ja dhe më pas u pranua nga trupi gjykues.

Edhe sot pritet të vazhdojë dëshminë dëshmitarja e parë në rastin Thaçi dhe të tjerët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të mërkurën, pritet të vazhdojë dëgjimi i dëshmitares së parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ish-presidentit Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Dëshmia e dëshmitares së parë ka filluar të martën dhe pritet të zgjasë katër ditë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmia e dëshmitares së parë, gjatë të martës, ishte tërësisht e mbyllur për publikun.

Sipas kalendarit të DhSK-së, seancat e tjera lidhur me këtë rast, janë caktuar më 13, 17, 18, 19 dhe 20 prill.

Ndryshe, në seancën e 3 prillit 2023, u dha fjala hyrëse nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.

Po ashtu, në po atë seancë, pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Kurse, seanca e 4 prillit 2023 vazhdoi me fjalën hyrëse të mbrojtjes së Thaçit, Veselit dhe Selimit, si dhe deklaratat pa betim të këtyre të fundit.

Ndërkaq, në seancën e 5 prillit 2023 u dha fjala hyrëse e mbrojtjes së Krasniqit dhe ky i fundit tha deklaratën pa betim.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.