28-11-2024

Dëshmitarja i drejtohet të akuzuarit për masakrën e Izbicës me fjalët: “Zoti të marroftë”

Xhemile Osamanaj gjatë dhënies së dëshmisë së saj në gjykimin ndaj masakrës së Izbicës ju ka drejtuar të akuzuarit Muhamet Alidemaj me fjalët: “Zoti të marroftë”. Ajo ka thënë se është sigurt qind për qind se ishte ky i akuzuar që i kishte rënë shuplak.

I akuzuari Alidemaj, po akuzohet nga prokuroria special se gjatë periudhës 24 mars dhe deri me 10 qershor kishte shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare, duke kontribuar në vrasjen e shqiptarëve në fshatin Izbicë.

Dëshmitarja Osmani të martën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, gjatë dhënies së dëshmisë së saj bëri identifikimit e të akuzuarit Alidemaj, ku shtoi se është e sigurt mbi njëqind për qind se ishte i akuzuari Alidemaj personi që i kishte rënë shuplakë dhe se sipas saj i mban mend edhe një lyth që kishte në fytyrë.

Tutje, dëshmitarja Osmani shtoi se në momentin që i ka futu shuplakë i akuzuari Alidemaj nga fuqia që kishte shuplaka ishte mbështetur për muri .

“Një cop her s’kum pa me sy kur mka ra shuplak se e ramja u ka e fort edhe vetëm kam qenë e pshtetur per zidi se s’kum pas ku me shku se nashta isha rrxu”, tha dëshmitarja Osamani.

Gjatë përgjigjes në pyetjen e prokurorit special, Ilir Morina, dëshmitarja Osmani deklaroi se Masakra e Izbicës kishte ndodhur me 28 mars të vitit 1999, në ora 10:00 dhe se atë ditë ishte edhe Dita e Bajramit.

Sipas dëshmitares Osmani, pasi që ishin djegur shtëpitë e fshatit, banorët ishin grumbulluar në një livadh ku ushtarët serbë i kishin ndarë burrat nga gratë, duke shtuar se nuk mund ta dijë saktë se a ishte në atë moment edhe i akuzuari Alidemaj.

Tutje, gjatë sqarimit të kësaj situatë sipas dëshmitares Osmani pasi që i kanë ndarë burrat nga gratë dhe pasi që janë larguar me urdhër të ushtarëve serbë nga livadhi ku kishin qëndruar, kishin dëgjuar zhurmë e armëve duke i vrarë burrat e ndarë nga gratë.

“Ne e kemi ditë se i vrajtën burrat  për arsye se i dëgjuam armët,  ka kersitë rrafall kur ja dhashin qat ditë si këna dal ne fund te katunit dhe tereni ka qene asisoj mos me mujt mi pah tu i vra se u kan nje stom i kthyer”, tha dëshmitarja Osmani.

Ndërkaq, në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Alidemaj, avokatit Millosh Dediq, dëshmitarja Osmani, u përgjigj se është shumë e sigurt se i akuzuari Alidemaj i kishte futur shuplakë pasi që e kishte afër në largësi prej gjysmë metri.

“Qeky edhe ma tepër se 100% edhe kurrë se harroj fytyrën e tina”, deklaroi dëshmitarja Osmani.

Pasi që nuk kishte dëshmitar të tjerë për tu dëgjuar, seanca e radhës për këtë çështje u caktua me 23 mars të këtij viti.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj po ngarkohet se gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre.

Sipas aktakuzës, Alidemaj më 28 mars 1999 në fshati Izbicë, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në vrasjen e popullsisë civile, ashtu që në orët e hershme të mëngjesit në vendin e quajtur “Malet e Stejevcit”, në kodrën e rrugës Kërrninë – Belicë, së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe në të cilën bënin pjesë edhe Ivo Obradovic, Stanoje Shkerkiq, Sasha Vidiq, Milenko Miletiç, Sava Shkerkiq, Ranko Shkerkiq, Bogoljub Miletiq, Ivica Vidiq, Bane Shkerkiq si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, shkojnë tek vendi – livadhi ku ishin të grumbulluar popullsia civile e fshatit Izbicë dhe fshatrave të tjera përreth, me dhunë i ndajnë gratë dhe fëmijët nën moshën 12-vjeçare dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.

Me ç‘rast, i akuzuari Alidemaj thuhet se së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, e thirrën të dëmtuarën Xhemile Osmanaj që të dalë nga turma e njerëzve ku ishin grumbulluar, fillimisht nën kërcënimin e armës ia morën 1 mijë marka gjermane, pastaj nën tytën e armës në shpinë, e detyruan që t’iu prijë gjatë kontrollit të shtëpisë së saj.

Më pastaj, aktakuza thotë se i pandehuri Muhamet Alidemaj e goditi me shuplakë në fytyrë tek dera e shtëpisë dhe e urdhëruan që të shkojë tek turma e civilëve të grumbulluar në livadh, kurse civilëve të tjerë iu konfiskuan të gjitha sendet e tyre personale me vlerë, i rrahën rëndë disa nga meshkujt, i detyruan me dhunë gratë dhe fëmijët të largoheshin në drejtim të Klinës, duke iu thënë të shkojnë në Shqipëri, si dhe nën kërcënimin e armëve ua grabitën çdo gjë me vlerë monetare dhe në fund i shkatërruan dhe i dogjën shtëpitë e fshatit Izbicë.

Me këtë, akuzohet se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga neni 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.