24-11-2024

Dëshmitë ndaj ish-drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, si dhe dy zyrtarëve komunal

Gjykatën Themelore në Prizren, zyrtari i zyrës së prokurimit në Komunën e Dragashit, Fadil Sinani, ka dhënë dëshminë e tij në rastin ku të akuzuar janë ish-drejtori i Financave në Komunën e Dragashit, Ahmet Bahtjari, si dhe dy zyrtarë të tjerë të komunës, Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe konflikt interesi.

Në fillim të seancës, prokurori Mehdi Sefa, e pyeti dëshmitarin se a mbetet pranë deklaratave të dhëna ne Prokurori dhe në Policinë e Kosovës, ndërsa dëshmitari deklaroi se nuk i kujtohen deklaratat në detaje, mirëpo mbetet pranë atyre deklarimeve.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ahmet Bahtijari, avokati Valdet Hoxha, e pyeti dëshmitarin se për shumat që janë mbi 100 euro deri 999 euro, zhvillohet procedura e proukurimit e njohur si procedura minimale, a është zhvilluar kjo procedurë edhe në rastin konkret.

Dëshmitari deklaroi se për këtë rast nuk është përgjegjës dhe se nuk e di a ka kaluar në këto procedura.

Tutje dëshmitari deklaroi se firma “Menti” është kontraktuar vetëm për pozicione që nuk kanë qenë të parapara me operatorin “LML”, pra vetëm për furnizimin me goma.

Dëshmitari e sqaroi edhe dallimin në mes të menaxherit të projektit dhe menaxherit të kontratës, ku dekalroi se “menaxheri i kontratës është vetë njësia e kërkesës, ndërsa menaxheri i projektit propozohet prej njësisë së kërkesës, por emërohet nga kryetari me vendim. Për kohën për të cilën po flasim nuk ka qenë i precizuar menaxheri i projektit, por ka qenë njëri nga vozitësit, por gjithmonë në bashkëpunim me menaxherin e kontratës”.

Tutje dëshmitari deklaroi se kërkesën për servisimin e automjeteve, dërgesën e tyre për servisim dhe pranimin e automjeteve gjithmonë e bënë vozitësi.

Po ashtu dëshmitari deklaroi se kërkesa për servisim dërgohet tek drejtori i njësië përkatëse, ndërsa drejtori vendos se a do të pranohet apo refuzohet.

Tutje dëshmitari deklaroi se të gjitha pagesat kur ekziston kontrata duhet të kalojnë nëpër zyre të prokurimit, sepse menaxhimi i prokurimit i kontrollon se a janë bërë pagesat sipas rregullave të kontratës apo jo.

Në pyetjen e të akuzuarit, Avni Nebiu, se a ka ndodhur që përmes zyrës së prokurimit të kaloi ndonjë shërbim i cili ka qenë i paraparë me kontratë me kamponin “LML” dhe të servisohet me servisin “Meti”, deshmitari deklaroi se nuk e di.

Dëshmitari po ashtu, deklaroi se procedura e kontarktimit për goma të servisit “Menti” ka kaluar përmes zyrës së prokurimit.

Prokurori Mehdi Sefam e pyeti dëshmitarin se a është i sigurt që kompania “Menti” ka kontratë me Komunën e Dragashit, dëshmitari dekalaroi se shpreson që është dhe duhet të jetë një kontratë e tillë dhe premtoi se nëse është në arkivin e Komunës, do ta sjellë në seancën e radhës.

Pas këtyre deklarimeve të dëshmitarit, kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, e deklaroi përfundimin e orarit të punës dhe njoftoi se shqyrtimi i sotëm ndërpritet, ndërsa i njëjti caktohet të vazhdoi me 21.01.2021 në ora 13:05.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Ahmet Bahtjarin, përveç për keqpërdorim të detyrës zyrtare, akuzohet edhe për konflikt të interesit.

Sipas aktakuzës, Ahmet Bahtijari akuzohet se gjatë periudhës 2004, e deri më 2017, në cilësinë e Drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i tij, Armend Bahtjari.

Në aktakuzë thuhet se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që i pandehuri Bahtijari, i ka mundësuar lidhjen e marrëveshjes me Kuvendin Komunal të Dragashit për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale, parcelën në sipërfaqe prej 122 m2, dhe e nënshkruan urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik për servisim “LML”, për rregullimin e automjeteve, kështu që i mundëson djali të tij dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3069 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro, dhe për vitin 2017, shumën prej 1532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, e cila ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Bahtjari akuzohet se në periudhën e njëjtë kohore, në cilësinë e drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, personalisht merr pjesë në çështje zyrtare në të cilën anëtari i familjes-djali i tij, Armend Bahtjari ka interes financiar, në atë mënyrë që e nënshkruan urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti” dhe, kështu i mundëson djali të tij, dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3069 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1532 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “konflikt i interesit”, nga neni 424 paragraf 1 të KPRK.

Ndërsa, sipas aktakuzës, Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, akuzohen se gjatë periudhës nëntor 2014, e deri në kohë të pacaktuar, në cilësi të personave zyrtar të Komunës së Dragashit, Avni Nebiu, zyrtar autorizues i pagesave, ndërsa Selajdin Vehbi, zyrtar certifikues, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, nënshkruajnë urdhërpagesat e servisimit të automjeteve zyrtare, në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML” për rregullimin e automjeteve, kështu që i mundëson dobi pasurore pronarit të servisit “Menti”, për vitin 2015 shumën prej 3069 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, e cila ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragash.

Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.