Dështimi i 45-të, deputetët nuk arrijnë ta konstituojnë kuvendin
Dështimet vazhdojnë. E sot për të 45-n herë me radhë deputetët dështuan ta konstituojnë kuvendin. E vazhdon të përsëritet po i njëjti skenar, që deputetët të mblidhen çdo 48 orë, por pa asnjë rezultat.

Rreth pesë muaj pas përfundimit të zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ende të konstituohet dhe se asnjëra nga partitë nuk kanë lëvizur nga pozicionet e tyre.
VV-ja nuk heq dorë nga votimi i fshehtë dhe as nga kandidatja e tyre për kryetare të kuvendit Albulena Haxhiu. Ndërkaq partitë opozitare mbetën të palëkundura në kundërshtimin e votimit të fshehtë.
Deputeti i PDK-së Abelard Tahiri i cili mori fjalën tha se sot është hera e 45-të që kryesuesi Avni Dehari po e shkel Kushtetutën e vendit.

“Sot hera e 45-të që kryesuesi po e shkel Kushtetutën”, tha ai, teksa iu ndal mikrofoni. Megjithatë Tahiri vazhdoi fjalimin e tij pa miktrofon.
Sikurse dhe në seancat e kaluara, edhe këtë herë kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, kërkoi formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.
Propozimi nuk i mori votat e mjaftueshme dhe seanca u ndërpre për të vazhduar të dielën në orën 11:00.
Të pranishëm në sallë ishin 93 seputetë, 49 votuan pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim./Indeksonline