25-11-2024

Dështon gjykimi për mosrrënimin e objekteve pa leje në Prizren

Sot, në Departamentin Special ishte paraparë të administrohen provat në gjykimin ndaj Kryeinspektorit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Bedri Halimi, si dhe katër inspektorëve të Komunës së Prizrenit, Enver Bytyqi, Nexhmedin Musliu, Bashkim Krasniqi dhe Ruzhdi Daka.

Por që në pamundësi të prezantimit të këtyre provave përmes “sllajdeve”, meqenëse nuk shiheshin në monitorët e gjykatës, prokurorja speciale Merita Bina Rugova ka propozuar shtyrjen e seancës me qëllim të listimit të të njëjtave dhe dorëzimit të saj në gjykatë me anë të një parashtresë.

Halimi po akuzohet se me dashje nuk i kishte zbatuar vendimet e Ministrit të MMPH-së, me të cilën ishte urdhëruar rrënimi i objekteve pa leje, ndërsa katër inspektorët Bytyqi, Musliu, Krasniqi dhe Daka po akuzohen se kishin lejuar ndërtimin e disa qindra objekteve pa leje ndërtimi, duke reaguar vetëm në disa raste, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi që prokurorja Bina-Rugova ka filluar prezantimin e provave materiale, kanë reaguar mbrojtësit e të akuzuarve me arsyetimin se ishte e pamundur të kuptohej nga largësia përmbajtja e këtyre provave.

“Këtu, na veç po e shohim që është një procesverbal, na pe shohim aty një dokument e fare nuk po e lexojm, na nuk po mundemi me pa çka është përmbajtja e tij, kështu nuk mundemi me i prezentu se po humbim kohë”, tha avokati Qerkini.

Edhe prokurorja Bina-Rugova ka paraqitur pakënaqësitë e saj lidhur me prezantimin e provave, pasi që sipas saj nuk mund të shikoheshin nga larg këto prova.

“Shumë vështirë, unë mendova që kam me pas një llaptop këtu përpara për me mujt me pa pak ma mirë”, tha prokurorja Bina-Rugova.

Andaj gjykatësi Shala, ka kërkuar një pauzë të shkurtër që t’i jepej mundësia prokurores t’i barte provat në një llaptop në mënyrë që t’i kishte afër vetes gjatë prezantimit të të njëjtave.

Pastaj kësaj, gjykatësi Shala ka pyetur palët në procedurë nëse ishin të pajtimit që këto prova të listohen në procesverbal dhe të mos prezantoheshin në këtë mënyrë.

Sipas gjykatësit Shala, prezantimi i provave nga ana e prokurorisë në këtë mënyrë ishte i pamundur pasi që monitorët ishin larg nga palët dhe është pamundur të lexohen këto prova.

“Prezantimi i provave në ketë formë nga ana e prokurorisë tanimë po është i pamundshëm për shkak të mos përgatitjes më parë nga ana e Prokurorisë t’i ketë provat në kompjuterë dhe prezantimi i provave nga ana teknike që gjykata veç e ka anën teknike është e pamundshme për shkak se monitorët janë larg prej palëve dhe është  e pamundshme që provat të lexohen në këtë mënyrë”, tha gjykatësi Shala.

Me këtë është pajtuar avokati Qerkini, i cili tha nuk i kundërshtojnë autenticitetin e këtyre provave, dhe sipas tij këto dokumente mbrojtja veç se i kanë pasur qysh në fazat e hershme të kësaj procedure penale.

Avokati Fatmri Jëlliqi i cili e mbron të akuzuarin Bytyqi, ka thënë se në parim nuk e kundërshtojnë listimin e këto provave, por që ia lënë në vlerësim gjykatës.

“Në parim nuk e kundërshtojmë, mirëpo shtrohet pyetja, cilat prova, se janë provat inkriminuese për të mbrojturin tim dhe të tjerët  dhe është problem që ne ato t’i konstatojmë veç e veç, por sido që të jetë, ia lëmë në vlerësim gjykatës”, tha avokati Jëlliqi.

Fjalën e mbrojtësve të lartcekur e kanë mbështetur edhe mbrojtësit e të akuzuarve Musliu, Krasniqi dhe Daka, avokatët  Blend Gjini, Gent Gjini dhe Arben Shala.

Ndërsa sipas prokurores Bina-Rugova, listimi i këtyre provave pa i prezantuar të njëjtat ishte “non sense”.

“Janë me dhjetëra vendime, nuk e di qysh me i listu. Unë vet mundem vetëm grupe grupe me prezentu ashtu qysh janë të kërkuara, edhe është “non-sense”, ashtu me i listu numrat, veç po humbim kohë”, tha ajo.

Atëherë gjykatësi Shala, i ka dhënë lejen prokurores që të vazhdojë në mënyrën ashtu siç kishte filluar prezantimin, por që sipas tij prokurorja ishte dashur fillimisht të përgatitej për këtë prezantim.

“Mirëpo, nëse prokuroria dëshiron që këto të paraqiten në formë të sllajdeve, u kon deshtë prokurore që të përgatiteni, ta merrni teknikën me veti, dhe të përgatiteni, edhe ju e dini shumë mirë se nuk jeni sefte në ketë gjykatë, ju jeni që vini vazhdimisht. Kjo është mundësia e gjykatës këto janë kushtet teknike të gjykatës dhe ato sllajdet që keni mëndu ju me i bo nuk ekzistojnë në këtë gjykatë”, tha gjykatësi Shala.

Ndaj kësaj ka reaguar prokurorja Bina-Rugova duke thënë se ajo kishte menduar se të njëjtat nga llaptopi do të shikoheshin në monitorë.

“Si mendoni që ka mundësi me i prezentë sllajdet, çka kom pas me bo unë në prokurori për me u bo gati për këtë prezantim. Unë i pruna provat, kam mëndu që ka mundësi që kur të qitet në llaptop që të shihet në ekran. Nuk e di çka, ku është lëshimi i prokurorisë. Nëse ka mundësi me bo diçka nga ana jonë. A ka mundësi unë me bo diçka tjetër me i prezentu ato qysh duhet. Ku është lëshimi i prokurorisë. Nëse ka mundësi që ka me bo diçka atëherë kisha kërku shtyrjen”.

Prezent ishte edhe tekniku i gjykatës i cili ka treguar edhe mundësinë e sigurimit të një projektori, por që edhe sipas tij mënyra e vetme ishte kjo e cila ishte prezantuar në këtë seancë.

Andaj gjykaësi Shala e ka caktuar për 15 prill në orën 10:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të ngritur më 18 nëntor 2019, Bedri Halimi, duke punuar si Kryeinspektor i Inspektoratit të Ministrisë se Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), kompetent për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional “Sharri” në Prevallë, me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me Vendimin e Ministrit të MMPH-së Nr.34/13 të datës 15.11.2013, me të cilin urdhërohet rrënimi i objekteve pa leje brenda Planit Rregullues Urban në Parkun Nacional, në atë mënyrë që edhe pse e ka hartuar planin për zbatimin e urdhëresës në 4 faza, atë nuk e ka përmbushur.

Sipas aktakuzës, në fazën e parë ishin rrënuar 180 objekte, në fazën e dytë nga 28 vendime për rrënim, janë zbatuar vetëm 20, duke mbetur edhe 8 vendime të pazbatuara.

Sipas prokurorisë, në fazën e tretë nga 45 vendime për rrënim, 16 ishin revokuar, ndërsa 29 vendime kanë mbetur të pazbatuara, kurse faza e katërt fare nuk ishte implementuar, ashtu që
nga data 14.12.2013 e deri tash nuk ka zbatuar as një prej vendimeve edhe pse të njëjtat janë ende në fuqi.

Ndërsa, katër të akuzuarit tjerë, inspektorët Enver Bytyqi, Nexhmedin Musliu, Bashkim Krasniqi dhe Ruzhdi Daka, akuzohen se si inspektorë të ndërtimit në Drejtorinë e Inspektoratit të Komunës së Prizrenit, kanë qenë përgjegjës për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional, në periudhën kohore nga 22 qershor 2006, e deri më datë 3 maj 2013, kur MMPH-ja me vendimin M.Nr.1498/13, e ka urdhëruar ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve ndërtimore në zonën e Prevallës.

Sipas PSRK-së, të njëjtit me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare konform Ligjit për Ndërtim nr. 2004/15, nuk e kanë bërë mbikëqyrjen inspektuese të ndërtimeve, nuk kanë urdhëruar pezullimin e ndërtimit dhe nuk i kanë iniciuar procedurat e parapara me ligj, ashtu që gjatë këtyre shtatë viteve e kanë lejuar ndërtimin e disa qindra objekteve pa leje ndërtimi, duke reaguar vetëm në disa raste.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Enver Bytyqi, ishte i përfshirë në tri raste të ndërtimeve të palejuara të pronarëve Sezo Beqiri, Fehmi Beqaj dhe Muharrem Brando, i akuzuari Nexhmedin Musliu në dy raste, të pronarëve Irfan Beqiri dhe Blerim Bajraktari, i akuzuari Bashkim Krasniqi në një rast, të pronarit Hazir Merlaku dhe i pandehuri Ruzhdi Daka, në një rast  të pronarit Kadri Bajrami.

Me këto veprime, PSRK-ja pretendon se këtë mënyrë ata kanë shkaktuar degradimin e mjedisit në masë të madhe, kurse secilit pronarë të objektit të ndërtuar pa leje, iu kanë mundësuar përfitimin e dobisë pasurore në vlerë mesatare prej 10.500 euro. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.