Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, për të tretën herë radhazi ka dështuar seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarve për vjedhje në tentativë, Bali Thaqi, Skender Gashi dhe Valon Shala.
Seanca e së mërkurës nuk është mbajtur për shkak të mungesës së tre të akuzuarve Bali Thaqi, Skender Gashi, Valon Shala.
Gjykatësi Njazi Morina, ka deklaruar se të akuzuarit kanë qenë të ftuar me ftesa, mirëpo të njëjtit nuk prezantojnë, pasi që sipas fletëkthesave, për të akuzuarin Bali Thaqi dhe Valon Shala shkruan se te njëjtit gjenden jashtë vendit, kurse për të akuzuarin e Skender Gashi, në fletëkthesë shkruan se ai gjendet në burg.
Në mungesë të kushteve ligjore, gjykatësi Morina e ka shtyrë seancën më 6 shtator 2019, në ora 10:30, ku të akuzuarit do të ftohen me ftesa të rregullta.
Ndryshe, edhe seanca e 6 marsit 2019, dhe ajo e 3 prillit 2019, ishin shtyrë në mungesë të të akuzuarve.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 11 mars 2014, kishte ngritur aktakuzë ndaj Bali Thaqi, Skender Gashi dhe Valon Shala, me arsyetimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “vjedhje”, si bashkëkryerës në tentativë, nga neni 325, paragraf 1, pika 1, lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, më 30 tetor 2013, në orët e pacaktuara, në fshatin Mirushë, Komuna e Malishevës, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm, në bashkëveprim, të akuzuarit Bali Thaqi, Skender Gashi, dhe Valon Shala, i kanë marrë të dëmtuarit Osman Thaqi, tre krerë lopë, derisa gjendeshin në fushë duke kullotur.
Në aktakuzë thuhet se ata fillimisht lopët i kanë futur në pyll derisa ka rënë nata, pastaj i kanë lidhur me konop, dhe dy prej lopëve kanë ikur dhe vetëm një ka ngelur e lidhur në mal, derisa lopa e mbetur në mal është marrë me kamion nga të akuzuarit, dhe e kanë larguar duke e dërguar në malet e Hoçës së Madhe në Komunën e Rahovecit, duke kërkuar blerës për ta shitur atë.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit me këto veprime, të dëmtuarit, i kanë shkaktuar dëm material, në vlerë prej 1000 euro. /BetimipërDrejtësi