Gjatë shqyrtimit të propozimit për formimin e komisionit përzgjedhës për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave ka pasur përplasje mes kuvendarëve të opozitës dhe zyrtarëve të Ekzekutivit, për rreth 40 minuta, si pasojë e të cilave është kërkuar edhe një pauzë, raporton Telegrafi.
Por pas pauzës 15 minutëshe është konstatuar se nuk kuorum për vazhdimin e seancës, pasi në sallë kanë qenë të pranishëm numër i vogël i kuvendarëve.
Në fillim të vazhdimit të seancës, kryesuesja Antigona Berisha Bytyqi ka theksuar se propozimi duhet të hidhet në votim meqë për këtë pikë ka pas diskutime më 26 tetor.
Mirëpo kuvendarët opozitarë kanë kundërshtuar një gjë të tillë, teksa janë përplasur edhe me drejtoreshën e Arsimit, Luljeta Veselaj Gutaj.
Selman Sokolaj i LVV-së ka theksuar se përbërja e propozuar nga Ekzekutivi është i pa pranueshëm, pasi ka dyshime që në mesin e tyre ka persona që kanë vepruar kundërligjshëm.
Por një gjë e tillë është kundërshtuar nga drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj Gutaj.
“E pavërteta, pa saktësia, gënjeshtra janë sinonim i LVV-së”, ka thënë ajo, duke shtuar se për këtë çështje ka pasur kallëzime penale nga LVV-ja dhe se janë hedhur poshtë nga organet e drejtësisë.
Megjithatë përplasjet kanë vazhduar, duke detyruar caktimin e një pauze disa minutëshe, pas së cilës nuk ka vazhduar seanca në mungesë të pjesës dërrmuese të kuvendarëve, raporton Telegrafi.
“Për emrat e propozuar ne i kemi dyshimet tona. Madje ka pas edhe audio incizime të cilat kanë qenë publike, dhe assesi nuk duam ti kemi këta njerëz që kanë bërë marrëveshje me pushtetin dhe bëjnë punësime partiake në DKA”, ka thënë Alishani.
Sipas saj, qeveria Totaj është zotuar për depolitizim të arsimit.
“Ne si opozita po ia përkujtojmë këtë premtim. Por, qasja e Ekzekutivit është joserioze, dhe sjellja e emrave të njëjtë tregon për arrogancën e këtij pushteti, sepse kanë siguri të numrave dhe si opozitë po ua përkujtojmë se nuk bën të politizohet arsimi”, është shprehur Alishani, pas dështimit të vazhdimit të seancës. /Telegrafi/