24-11-2025

Detaje nga operacioni në Vërmicë – Si u zbulua transporti i 266 kg eksploziv në furgonin që vinte nga Shqipëria

Një rast tejet serioz është zbuluar të dielën në pikën kufitare në Vërmicë, ku Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën kanë ndaluar një sasi të madhe eksplozivi të futur ilegalisht nga Shqipëria.

Ngjarja ka ndodhur më 23.11.2025 rreth orës 17:00, kur në hyrje për në Kosovë është ndalur një automjet furgon i tipit Opel F9 Movano, të cilin e drejtonte F. D. Mjeti është selektuar për kontroll në vijë të dytë dhe është dërguar në hangar për inspektim të detajuar.

Gjatë kontrollit të realizuar nga policia në bashkëpunim me zyrtarët doganorë, janë zbuluar materiale shpërthyese të paketuara në qese plastike, detonatorë elektrikë dhe fitila ndezës, të dyshuara për përdorim në aktivitet të paligjshëm.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësi të specializuara, përfshirë Njësinë për trajtimin e eksplozivëve, Njësinë e forenzikës nga DR Prizren, Njësinë për transport të lëndëve shpërthyese, Departamentin për siguri publike dhe Njësinë e hetimeve kufitare.

Pas matjes dhe analizës është konstatuar se janë sekuestruar:

•  266.58 kg eksploziv të llojit Poladin, Amunit dhe një lloj i paidentifikuar

•  detonatorë elektrikë me karakteristika të ndryshme

• 120 fitila Emulex me peshë 800 gramësh

•  20 fitila me peshë 8.900 kg

• 6 tuba me tela elektrik

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit në Prizren, i cili ka urdhëruar konfiskimin e të gjitha lëndëve shpërthyese dhe automjetit, si dhe bastisjen e shtëpisë së të dyshuarit në fshatin Damjan të Gjakovës.

Gjatë bastisjes nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, ndërsa F. D pas intervistimit është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale:

“Import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim dhe shitje e paautorizuar e armëve dhe materieve plasëse”.

Hetimet po vazhdojnë nga Njësia e hetimeve e DRPK “Perëndimi”. /Gazeta Sinjali

Asnjë koment

Comments are closed.