Detaje për the*rjen e shqiptares nga burri i saj në Gjermani: I dyshuari ishte i dënuar më parë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur dje qytetin e Mynihut në Gjermani, ku një grua me origjinë nga Kosova është plagosur rëndë me thikë nga bashkëshorti i saj, gjithashtu kosovar, para syve të djalit të tyre 7-vjeçar.
Burimet nga prokuroria gjermane kanë bërë me dije se i dyshuari, S.K., 33-vjeç, dyshohet se e ka sulmuar brutalisht gruan e tij, S.K., 31-vjeçare, duke e goditur më shumë se pesë herë me një thikë të vogël.
Sulmi ndodhi vetëm pak metra larg banesës së saj, teksa ajo po kthehej nga shkolla bashkë me djalin.
Sipas mediave gjermane, çifti kishte kohë që kishte probleme martesore. Ata kanë dy fëmijë së bashku – një djalë 7-vjeç dhe një vajzë 4-vjeçare. Burri kishte qenë më herët i dënuar për dhunë në familje dhe për shkelje të urdhrit për mbrojtje.
Në janar të këtij viti, ai e kishte rrahur rëndë gruan, duke i shkaktuar plagë në fytyrë dhe gjakderdhje, për çka gjykata gjermane kishte marrë vendim që ia ndalonte t’i afrohej asaj apo banesës në një distancë prej 100 metrash. Ky urdhër ishte në fuqi deri më 19 korrik 2024 – por ai e kishte shkelur atë katër herë.
Sipas hetimeve të deritanishme, ngjarja e rëndë ndodhi kur i dyshuari kishte tentuar ta merrte vajzën e vogël nga kopshti, por stafi nuk e kishte lejuar dhe kishte njoftuar menjëherë nënën.
Ajo kishte shkuare kishte marrë vajzën dhe e kishte lënë tek një shoqe në të njëjtin objekt, e më pas ishte nisur për ta marrë djalin nga shkolla.
Në rrugën për në shtëpi, vetëm disa metra larg hyrjes së banesës, burri e kishte pritur dhe e kishte sulmuar brutalisht me thikë. Sipas dëshmitarëve, ai qëndroi në vendin e ngjarjes pas sulmit, duke folur në telefon, ndërsa gruaja e tij ishte në gjendje kritike në tokë.
Një mike e viktimës ka deklaruar për një gazetë gjermane se, gjatë arrestimit, ai e kishte parë me një “shikim të ftohtë, pa ndjenja”, ndërsa para kalimtarëve thuhet se kishte thënë: “Nuk e dini çfarë më ka bërë ajo”.
Gruaja u dërgua me urgjencë në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë, duke luftuar për jetën. Ndërkohë, autoritetet gjermane po vazhdojnë hetimet për këtë rast tronditës që ka alarmuar opinionin publik.