Dhëndri shkakton telashe në shtëpinë e miqve në Rahovec, i dehur merr djalin 2-vjeçar e arratiset
Çdo ditë në Policinë e Kosovës raportohen raste të dhunë në familje, ku kryesisht viktima janë gratë që pësojnë nga bashkëshortët e tyre. Ka pasur shumë raste kur në problemet mes tyre kanë përfshirë edhe fëmijët. Kështu ka ndodhur mbrëmë në orët e mbrëmjes në Rahovec, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se rasti është raportuar nga gruaja viktimë e këtij rasti, e cila ka vendosur që ta denoncojë në Polici bashkëshortin e saj për dhunën që ia ka shkaktuar.
Burri i saj po dyshohet se e i dehur ka shkuar te familja e gruas, ku ajo po qëndronte për vizitë dhe me forcë e ka marrë djalin e tyre 2-vjeçar dhe është kthyer në shtëpi.
Në deklaratën e viktimës, të dhënë para hetuesve policorë thuhet se situata e krijuar në shtëpinë e prindërve të saj i ka shkaktuar shqetësim të madh, prandaj për ta parandaluat më të keqen që mund të ndodhë në të ardhmen, e ka raportuar rastin.
Denoncimi i viktimës ka aktivizuar Policinë që të nisë kërkimet për ta kapur të dyshuarin, pasi i njëjti gjendet në arrati. Ai dyshohet se u ‘zhduk’ posa e kuptoi se gruaja e tij ndodhet në stacion policor dhe po raporton kundër tij.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të nisin hetimet për dhunë në familje dhe posa të sigurohet prezenca e të dyshuarit, të dërgohet në mbajtje.