Dhunuan një vajzë, dënohen me 14 vjet burg dy persona në Prishtinë
Gjykata Themelore në Prishtinë u ka dënuar me 14 vjet burgim dy persona për veprën penale “dhunim”.
I akuzuari A.O është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej tetë vjetësh, i cili dënim do të ekzekutohet 15 ditë nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
I akuzuari D.RR është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 6 gjashtë vjetësh, i cili dënim do të ekzekutohet 15 ditë nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
“Të pandehurve A.O dhe D.RR iu vazhdohet masa e paraburgimit nga data 12.04.2023 e deri sa ky aktgjykimi të merr formë të prerë, por jo më gjatë se koha e dënimit me burgim të shqiptuar në aktgjykim, ndërsa iu llogaritet masa e paraburgimit në dënimet e shqiptuara”.
“Të pandehurit A.O dhe D.RR obligohen që t’i paguajnë të gjitha shpenzimet e procedurës penale, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej njëqind (100) euro secili veç e veç, kurse në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej pesëdhjetë (50) euro secili veç e veç, në emër të ekspertizës së Institutit të Psikiatrisë Forenzike shumën prej katërqind e pesëdhjetë (450) euro në mënyrë solidare, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”.
E dëmtuara udhëzohet që kërkesën pasurore juridike ta paraqesin në kontest të rregullt juridiko-civil.