Dialogu në Bruksel: Autoshkollat, zgjedhjet, targat, energjia dhe patetentë shoferët pjesë e diskutimeve
Gjatë ditës së djeshme pala kosovare dhe ajo serbe kanë qëndruar në Bruksel për takime me emisarin Miroslav Lajçak. Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se takimi i përbashkët Lajçak, Bislimi, Petkoviq “s’ka ndodhur dhe se as nuk ka pasur nevojë për një të tillë”.
Por, Bislimi ka bërë me dije se atje është folur për targat, patentë shoferët, dhe për themelimin e autoshkollave për komunat e veriut ku serbët atje do të merrnin patentë shoferët. Këto çështje tha se i ka diskutuar me Lajçak.
Bislimi po ashtu ka thënë se ka biseduar edhe për zgjedhjet, saktësisht rreth përmbajtjes së formularëve me të cilët do të thirret peticioni për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë.
“Kemi folur për ecurinë deritashme të regjistrimit të tabelave ku z.Lajçak e përgëzon Kosovën për suksesin e arritur deri tani dhe nxjerri 2 ose 3 kërkesa për hapat shtesë që mund të bëhen në mënyrë që pas konvertimit të tabelave, qytetarët serbë të mund të kenë akses në të gjitha shërbimet siç ka të bëjë për shembull me patentë shoferët, pastaj me themelimin e një autoshkolle në katër qytetet në veriun e Kosovës, në mënyre që të rinjtë të mund të marrin patentë shoferin e Republikës së Kosovës”.
Duke folur për zgjedhjet në pjesën veriore, Bislimi ka zbuluar edhe kërksën e BE’së.
“Po ashtu, u diskutua edhe për hapat e radhës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës. Aty kishte një shqetësim të vogël me përmbajtjen e formularit që do të përdoret për mbledhjen e nënshkrimeve dhe aty mendoj se pala kosovare mund ta akomodojë kërkesën e cila ishte thjesht që në formular të mos figurojë edhe kërkesa për vendosjen e numrit të telefonit”, ka thënë ai.
Rreth marrëvëshjes për energjinë, Bislimi ka thënë se Lajçak ka propozuar disa ndryshime për kontratën mes KEDS dhe Elektrosever.
“Z. Lajçak mendon se jemi shumë afër nënshkrimit të marrëveshjes dhe ka sjellë vetëm 2-3 propozim-ndryshime të vogla në kontratën për nënkontraktim mes KEDS’it dhe Elektroseverit. Ne do të japim kometet tona për këtë dhe mendoj që java e ardhshme duhet të jetë java e fundit gjatë së cilës kontrata duhet të nënshkruhet përfundimisht dhe të fillojë zbatimi saj”, ka theksuar ai.