Në vazhdën e takimeve të organizuara në kuadër të projektit “Analiza e Procedurave Administrative”, i cili ka për qëllim reformimin e shërbimeve administrative në Komunën e Prizrenit të premten është mbajtur takimi i radhës me përfaqësuesit e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), e cila është anëtare e grupit të Bankës Botërore (BB).
Gjatë këtij takimi është diskutuar për procedurat administrative të cilat mund të thjeshtësohen, me ç’rast drejtorët e drejtorive të Komunës së Prizrenit kanë dhënë rekomandimet dhe sugjerimet e tyre lidhur me raportin e përgatitur nga përfaqësuesit e IFC-së.
Me anë të këtij projekti synohet të bëhet thjeshtësimi i procedurave administrative, duke përfshirë eliminimin e procedurave të panevojshme, uljen e kostos së procedurave administrative për bizneset dhe qytetarët, evitimin e kërkesave për dokumentacione të cilat veçse janë në sistem, si dhe rritjen e transparencës rregullatore duke publikuar të gjitha procedurat me informata të nevojshme në faqen zyrtare të komunës.