Ditë të vështira për Burdushin në burg : Si tentoi të vetëvritet dhe shpëtoi pa lëndim
Ushtroi “profesionin” e mjekut popullor për vite të tëra pa u penguar. Por, që nga nëntori askush nuk ka marrë rrugën për në shtëpinë e Hysri Peqanit, i njohur si Burdushi. Ai u arrestua po atë muaj, pas bastisjes që u krye në shtëpinë e tij. Por, jeta në qeli, duket se është bërë e padurueshme për Burdushin. Para rreth një muaji, ai kishte hyrë në grevë urie, derisa javën e kaluar ai ka tentuar që t’i japë fund jetës, duke përdorur çarçafin e shtratit.
Mëngjesi i 25 shkurtit të këtij viti nuk ishte edhe aq i këndshëm për të burgosurit dhe zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Rreth orës pesë të mëngjesit, ata u zgjuan me një zhurmë që vinte nga njëra prej qelive.
Brenda asaj qelie ndodhej Hysri Peqani, i njohur në popull si Burdushi. Po atë ditë, Burdushi kishte tentuar t’i japë fund jetës në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku është duke u mbajtur për më shumë se dy muaj.
Ai në shenjë pakënaqësie kundër vendimit të Gjykatës pas grevës së urisë, ka tentuar që të bëjë vetëvrasje, duke përdorur çarçafin e shtratit.
Por, me të dëgjuar zhurmën në dhomën e Burdushit, zyrtarët korrektues kanë reaguar shpejt dhe e kanë parandaluar atë të bëjë një gjë të tillë.
“Me datën 25.02.2019, rreth orës 05:00 të mëngjesit, i paraburgosuri H.P. ka tentuar të bëjë vetëvrasje, me ç’rast si mjet ka përdorur çarçafin e shtratit, i cili është në dhomën e tij. Mënyrën e tentim-vetëvarjes e ka bërë duke e lidhur çarçafin për TV të cilën, po ashtu, e ka në dhomë. Pasi që është dëgjuar një zhurmë në dhomë, zyrtarët korrektues kanë reaguar shpejt dhe kanë parandaluar një tentativë të tillë ende pa filluar (d.m.th. në fazën fillestare)”, ka thënë Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi për Gazetën Express.
Thaçi ka thënë se Burdushit i është dhënë ndihma mjekësore dhe se është konstatuar që nuk ka kurrfarë lëndimesh.
“Të paraburgosurit në fjalë i është dhënë ndihma mjekësore dhe është bërë kontrolli mjekësor, me ç’rast është konstatuar se nuk ka kurrfarë lëndime, por përveç shqetësimit dhe frustrimit”, ka deklaruar ai.
Shenja të pakënaqësisë ndaj vendimit të Gjykatës, Burdushi kishte shfaqur edhe më herët. Ai kishte hyrë në grevë urie, derisa i ishte përkeqësuar gjendja.
Ndryshe, Burdushi është arrestuar nëntorin e vitit të kaluar pas një bastisje që ishte kryer në shtëpinë e tij./Express