24-11-2024

Djathi i Sharrit, ura lidhëse e maleve me qytetin e vjetër

Interesimi për antropologjinë e ushqimit sikurse edhe për zonën malore të rajonit të Prizrenit, veçmas Malet e Sharrit në Opojë e Gorë të Dragashit, është bërë sebep për antropologen Rina Geci, që pak vjet më parë të nisë një hulumtim në këtë trevë.

Kjo kureshtje e saj e ka çuar në një rrugëtim të pazakonshëm nëpër këtë zonë të njohur për blegtori, që ka rezultuar me dokumentimin e procesit të prodhimit dhe konservimit të djathit të Sharrit, që nis në bjeshkët e Sharrit dhe përmbyllet në qytetin e vjetër të Prizrenit, shkruan Koha Ditore.

Paraprakisht nuk është se ka pasur shumë njohuri për këtë trevë e veçanërisht për djathin simbol në të. “Kam shprehur interesim për malet në rajonin e Prizrenit, duke qenë se nuk i pata vizituar as si turiste. Po ashtu nuk është se kam qenë e pasionuar pas djathit të Sharrit meqë në Prishtinë, prej nga vij, nuk është se është i njohur shumë. Por mendoja se është një temë për të cilën banorët mund të flasin lirshëm, sidomos me dikë të panjohur dhe në atë kohë kam qenë e interesuar për antropologjinë e ushqimit dhe mjekësinë popullore”, nis rrëfimin Geci.

Por edhe hulumtimi në terren për djathin e Sharrit ka pasur sfidat e veta. “Nuk kam pasur ndonjë sfidë të madhe, ndoshta më të dukshmet kanë qenë hezitimi i njerëzve për të folur në raste te caktuara, sidomos për mua si vajzë e re duke qenë se bëhet fjalë për një zonë të mbyllur e po ashtu edhe për barriera gjuhësore në pjesën e Gorës. Kam pasur vështirësi në kuptimin e dialektit lokal në këtë zonë, mirëpo gjithmonë është gjendur një person që e njihte serbishten. Me kalimin e kohës në terren këto pengesa janë eliminuar dhe gjatë rrugës e kam parë se sa është i rëndësishëm djathi i Sharrit për blegtorët e Dragashit, por edhe për kulturën e ushqimit në Prizren”, shprehet Geci.

Hulumtimin për djathin e Sharrit kjo antropologe nga Prishtina e ka realizuar nga korriku deri në nëntor të vitit 2017, me mbështetjen e CHwB Kosova në kuadër të projektit “Heritage Space”. Publikimi është bërë në vitin 2018, teksa prezantimi i tij po bëhet në forume të ndryshme edhe gjatë këtij viti. Synimi i antropologes Geci ka qenë paraqitja e rrugëtimit që përshkon ky djathë nga mënyra dhe specifikat e prodhimit deri te konsumimi i tij… (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)

Asnjë koment

Comments are closed.