25-11-2024

DKA-ja në Prizren akuzohet se ia ka dhënë kundërligjshëm disa paga mësueses së pianos

Anëtarë të partive opozitare kanë akuzuar Drejtorinë Komunale të Arsimit në Prizren se nuk ka ndërmarrë masa për largimin e mësimdhënëses së shkollës së muzikës “Lorenc Antoni” nga lista e pagave, duke pretenduar se ajo prej shtatë muajsh nuk i ka mbajtur orët e saj.

Sipas opozitarëve, drejtori i shkollës përkatëse ka dërguar disa shkresa në DKA me kërkesën që të merren masa ndaj mësimdhënëses në fjalë, meqë ajo nuk i ka mbajtur orët mësimore sipas orarit të punës.

Por drejtuesit e DKA-së kanë pohuar se ky rast është ndryshe prej mënyrës se si paraqitet nga opozita, raporton Koha.net.

Ndërsa prindi i mësimdhënëses, një eksponent shumëvjeçar i degës së LDK-së, pretendimet e opozitarëve i ka cilësuar si sulme tendencioze në baza familjare.

Ilir Baldedaj i AAK-së ka akuzuar drejtoreshën e DKA-së se ia ka dhënë kundërligjshëm 7 paga mësimdhënëses së pianos, që njëherësh është vajza e Ridvan Hoxhës së LDK-së.

“Drejtoresha e DKA-së, Xhemile Thaçi-Vezgishi, nuk ka pranuar ta heqë nga sistemi i pagave mësimdhënësen e shkollës ‘Lorenc Antoni’ edhe pse prej shtatë muajsh nuk ka mbajtur orët e saj. Genita Hoxha, është vajza e Ridvan Hoxhës, ish-ushtrues i detyrës në shkollën e mesme të lartë ‘Luciano Motroni’”, ka thënë Baldedaj. Ai ka theksuar se drejtori i shkollës së muzikës, Vesel Krasniqi, ka dërguar mbi shtatë shkresa në DKA për marrjen e masave. “Drejtoresha Vezgishi ka mbyllur sytë duke mos nxjerrë asnjë vendim për ndalesën e pagës dhe për ndërprerjen e kontratës”, ka deklaruar Baldedaj, teksa ka shtuar se ky rast duhet të hetohet nga Prokuroria.

Edhe Leart Batusha nga Nisma Socialdemokrate në rrjetet sociale ka akuzuar zyrtarët e pushtetit lokal se nuk kanë hequr nga lista e pagave mësimdhënësen e sipërpërmendur pavarësisht vërejtjeve të drejtorit të shkollës.

Ndërsa Ridvan Hoxha, duke reaguar ndaj akuzave të bëra në raport me vajzën e tij, ka theksuar se bëhet fjalë për sulme tendencioze në baza familjare, duke shtrembëruar të vërtetën në këtë rast.

“Vajza ime është profesoreshë me titull akademik, e nderuar dhe e përgatitur profesionalisht. Ajo nuk ka marrë pagë pa punuar në asnjë rast, përkundrazi gëzon respektin maksimal kudo që është e angazhuar, kështu është edhe në Shkollën e Muzikës në Prizren”, ka thënë Hoxha, duke shtuar se nxënësit e saj janë shpërblyer në gara të ndryshme.

Sipas tij, në muajin tetor të vitit të shkuar dhe në muajin e shkuar, prindërit e nxënësve që kanë ndjekur orët e pianos te mësimdhënësja Genita Hoxha, me peticion kanë kërkuar që orët të mbahen ditën e shtunë, ashtu që të vijojnë edhe mësimin e rregullt. Ai ka pohuar se këto kërkesa nuk janë marrë parasysh nga drejtoria e shkollës, por njëherësh ka vlerësuar se çështjet në mes të drejtorit të shkollës dhe një mësimdhënësi të caktuar janë çështje të brendshme të shkollës.

Megjithëkëtë, ka shprehur bindjen se sulmet e opozitarëve e shënjestrojnë atë për shkak të angazhimit të deritanishëm politik.

Ndërkohë, në rrjetet sociale ka reaguar edhe drejtori i shkollës së muzikës “Lorenc Antoni”, Vesel Krasniqi, i cili krahas kundërshtimit të pretendimeve e fjalorit të Ridvan Hoxhës, ka shprehur qëndrimin se “askush s’ka të drejtë të punojë veç një ditë në javë e ta marrë pagën e plotë…”. Ai në mes të tjerash ka shkruar se “shkolla nuk është fontanë dëshirash, por institucion shtetëror që ka rregullat dhe ligjet, të cilat unë si drejtor shkolle jam i detyruar t’i respektoj”.

Krasniqi ka shprehur qëndrimin se “ka ikur dita e favoreve politike në kurriz të qytetarëve të shkretë” dhe se ka ardhur dita e barazisë të të gjithëve “para ligjit dhe së drejtës”.

Në anën tjetër, drejtoresha e DKA-së, Xhemile Thaçi-Vezgishi, ka deklaruar se rasti i mësimdhënëses në fjalë është ndryshe nga ajo që është thënë nga individët e caktuar nga opozita, ngase “mësimdhënësja i ka mbajtur orët mësimore, kjo në një marrëveshje paraprake në mes të shkollës-prindërve dhe DKA-së, për një periudhë të caktuar kohore, për të cilën kanë ekzistuar disa arsye (profesionale dhe shëndetësore) dhe specifikat e punës në shkollat profesionale të muzikës, ku orari i punës respektivisht mësimor lejon punën edhe ditëve të shtuna” dhe se “e lartshënuara e ka deponuar në DKA dokumentacionin përkatës”.

Ajo ka shtuar se DKA-ja ka ndërprerë marrëdhënien e punës me mësimdhënësen, me kërkesën e drejtorit të shkollës.

“Duke e vlerësuar që kjo gjendje nuk mund të vazhdojë më tej, përkundër kërkesave të prindërve, me kërkesën e drejtorit të shkollës, DKA-ja e ka ndërprerë marrëdhënien e punës dhe do të bëjë ndalesë në paga për orët mësimore eventuale të pambajtura, sipas specifikimit të drejtorisë së shkollës”, ka përfunduar drejtuesja e DKA-së, Xhemile Thaçi-Vezgishi./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.