DKA në Prizren ia huq në njoftimin për Ditën e Mësuesit
Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Prizren ia ka huq sa i përket drejtshkrimit në njoftimin, për festën e 7 Marsit-Ditës së Mësuesit. Në shkrimin (banerin) ekspozues, në vend të mësuesit ishte shkruar gabimisht “Mësusesit”, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Këtë e ka shfrytëzuar aktivisti i shoqërisë civile, Arben Shala, i cili ka ironizuar në profilin e tij në “facebook”, duke shkruar:
“Mësusesit kanë bërë që fëmijët të mësojnë drejtshkrim, ashtu që të përgatiten më së miri të shkruajnë kur na udhëheqin vendin.
Tash me paga më të mira do të na dalin nxënës edhe më të mirë”.
Ai në këtë rast ka përmendur drejtshkrimin, duke aluduar pikërisht në fjalën kryesore të shkruar gabimisht, përkundër kaq pak fjalëve.
Pavarësisht pakujdesisë apo gabimit nga shtypshkronja, si e tillë së paku nuk është dashur të ekspozohet, aq më tepër nga DKA.
Një ditë më parë DKA organizoi një ceremoni me rastin e Ditës së Mësuesit./GazetaePrizrenit.net