27-11-2024

“Do të punohet çdo ditë që kriminelët e Serbisë që dhunuan civilë kosovarë të dalin para drejtësisë”

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se në Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës Seksuale në Konflikt, duhet të flitet edhe më shumë për dhunimet që Serbia i ka bërë në Kosovë gjatë luftës së fundit.

Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se do të punohet më shumë që kriminelët e këtyre rasteve të dalin para drejtësisë.

“Dhuna seksuale gjatë luftës, e përjetuar mbi trupat e grave dhe të burrave, është krimi më i rëndë dhe mizoria e cila ende nuk është dënuar e as nuk është vendosur drejtësi për këtë”.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës Seksuale në Konflikt, bota duhet të flas edhe më shumë për dhunimet që u shkaktuan ndaj popullësisë civile gjatë luftës në Kosovë, e madje zëshëm duhet t’i kërkohet Serbisë t’i dorëzojë kriminelët e luftës që po mbahen në Serbi”.

“Serbia është adresa ku duhet drejtuar thirrja për drejtësi, nga bota demokratike që ka për bazë lirinë dhe të drejtat e njeriut. Rreth 20 mijë dhunime seksuale gjatë luftës nuk mund të harrohen e as të falen. Do të punojmë çdo ditë që kriminelët të dalin para drejtësisë!”, ka thënë Haxhiu./Klankosova.tv

 

Asnjë koment

Comments are closed.