01-11-2025

Dodik pa sanksione, a po nis një kapitull i ri politik në Bosnje?

Adnan Qerimagic, analist në Iniciativën Evropiane për Stabilitet në Berlin, konsideron se me këtë hap, SHBA-ja tregoi se “është ende në vendin e shoferit”, kur bëhet fjalë për angazhimin ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Vendimi për heqjen e sanksioneve është pjesë e përpjekjeve të administratës Trump, që kanë zgjatur prej disa muajsh, dhe lidhet me përpjekjet për të kontribuar në shtensionimin e situatës në Bosnje dhe Hercegovinë”, thotë Qerimagic për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se vendimi për sanksionet është pasqyrim i “politikës transaksionale” të presidentit Donald Trump.

Po sipas tij, ky reagim i Departamentit amerikan të Shtetit tregon se pala amerikane sheh hapësirë për një “marrëdhënie të re” me aktorët në Bosnje dhe Hercegovinë, bazuar kryesisht në interesa të përbashkëta ekonomike.

Ish-presidenti i Republikës Sërpska, Dodik, dhe 48 individë dhe kompani u hoqën nga lista e zezë e Departamentit të Thesarit të SHBA-së më 29 tetor.

Departamenti i Shtetit shpjegoi për Radion Evropa e Lirë se veprimet e Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska, e cila anuloi një sërë ligjesh jokushtetuese në seancën e saj më 18 tetor, ndikuan shumë në këtë vendim.

Në të njëjtën seancë, këshilltarja shumëvjeçare e Dodikut, Ana Trishic Babic, u zgjodh presidente e përkohshme e Republikës Sërpska, deri në zgjedhjet e parakohshme më 23 nëntor.

Dodikut iu hoq mandati i tij si president i entitetit në muajin gusht, pasi Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës e dënoi me një vit burg dhe ndalesë gjashtëvjeçare në mbajtjen e posteve publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje.

Redaktori i portalit “Buka”, Aleksandar Trifunovic, thotë se Dodik e ka kuptuar mesazhin nga Uashingtoni, prandaj, prej kohësh, nuk ka folur më për ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnje dhe Hercegovina apo për bashkimin me Serbinë.

“Amerika është e interesuar vetëm për një Bosnje dhe Hercegovinë të bashkuar dhe kjo është linja që [sekretari amerikan i Shtetit] Marco Rubio ka përmendur diku nga fillimi i këtij viti… se Amerika me siguri do të kundërshtojë çdo përpjekje për të destabilizuar shtetin e Bosnje dhe Hercegovinës”, thotë Trifunovic.

Qerimagic, në anën tjetër, nuk pret që Shtetet e Bashkuara ta lënë pas dore kapitalin politik që zotërojnë, tani që sanksionet ndaj Dodikut janë hequr.

Asnjë koment

Comments are closed.