Dogana kap dy çanta me mallra të padeklaruara në pikën kufitare të Vërmicës
Dogana e Kosovës njoftoi se gjatë një kontrolli të rregullt në Pikëkalimin Kufitar në Vërmicë, është ndaluar një automjet i transportit të udhëtarëve, ku janë zbuluar mallra të padeklaruara.
Sipas njoftimit, vozitësi kishte deklaruar se nuk posedonte mallra për deklarim, mirëpo pas një kontrolli të detajuar nga zyrtarët doganorë, u zbuluan dy çanta të mbushura me mallra tekstile, të cilat nuk ishin deklaruar siç kërkohet me ligj.
Dogana sqaroi se, bazuar në nenin 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës (KDAK), rasti përbën kundërvajtje doganore. Mallrat e zbuluara janë ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave përkatëse ligjore.