Dogana ndalon mall të padeklaruar në Vermicë, mbi 7 mijë suplemente pa fatura
Zyrtarët doganorë në Pikëkalimin Kufitar të Vermicës kanë ndaluar për kontroll të detajuar një automjet, ku drejtuesi kishte deklaruar se nuk mbante mallra për deklarim.
Megjithatë, gjatë inspektimit u zbuluan sende të padeklaruara në sediljet e pasme dhe në bagazh — suplemente ushqimore, rreth 600 pako, me gjithsej mbi 7,500 copë.
Kostoja e mallrave u vlerësua në 5,554.00 euro, ndërsa shmangia e detyrimeve doganore kap në 1,655.34 euro. Dogana ka iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore sipas nenit 253 të Kodit Doganor dhe të Akcizës të Kosovës (KDAK), dhe mallrat janë ndaluar përkohësisht derisa proceset ligjore të përfundojnë.

Në postimin zyrtar në Facebook, Dogana e Kosovës rikujton se mosdeklarimi i mallrave është shkelje ligjore, dhe thekson se për raste të tilla do të aplikohen masa ligjore në përputhje me ligjet në fuqi.