“DokuFesti” i përgjigjet pandemisë me “transmision” digjital
Festivali i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” për herë të parë në 19 vjetët e ekzistencës së tij do të përjetojë një transformim të imponuar. Sivjet do të bartet në sferën digjitale, shkaku i situatës së krijuar me pandeminë COVID-19. Hapësira digjitale do t’ua zërë vendin kinemave tradicionale të “DokuFestit”, ku në 18 edicionet e shkuara janë mbledhur adhuruesit e dashamirët e filmit.
“Këtë vit festivali do të jetë i hapur prej 7-25 gusht me programe të filmit, panele, masterklasa, punëtori bashkëpunuese, si dhe me performanca muzikore online”, thuhet në komunikatën e festivalit.
Aty sqarohet se frymëzimi ka ardhur nga bendi britanik post-punk “Joy Division” dhe nga njëra prej këngëve të tyre ikonike.
“Tema e këtij viti TRANSMISIONI në shumë mënyra do të vërë në pah TRANSICIONIN të cilin jemi duke e përjetuar si shoqëri, teksa po e kuptojmë që bota dhe çdo gjë që dimë për të po TRANSFORMOHET shumë shpejt. Andaj këtë vit ju ftojmë të jeni pjesë e një eksperimenti ku përmbajtja e Festivalit do të transmetohet digjitalisht dhe do të zgjerohet përtej kinemave dhe hapësirave të zakonshme të qytetit të Prizrenit. Kësisoj, shpresojmë të transformohemi personalisht dhe kolektivisht përmes mënyrave të reja të të menduarit, të punuarit dhe shpërndarjes”, ka njoftuar të enjten “DokuFest”./koha.net