“DokuFesti” ngacmon të vërtetën
Pa fjalime zyrtare, me dy minuta e 25 sekonda video. Kaq u janë dashur organizatorëve të “DokuFestit” që të përthekojnë jo pak mesazhe, të shtrojnë shumë pyetje me një mision: ta ngacmojnë të vërtetën. Këtë do ta bëjnë edhe 280 filmat e programit, dhe hapja kësisoj e edicionit të 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, të premten mbrëma, në kinemanë “Lumbardhi” ka qenë veç një intro. Misioni nuk është zbardhja e së vërtetës, këtë e kanë theksuar disa herë ata që i japin jetë ngjarjes më të madhe kulturore në vend, shkruan sot Koha Ditore.
“E vërteta” mund të jetë shpeshherë e koklavitur. Njerëzit mund të gjenden në një situatë konfuze e jo rrallë ajo që njerëzit shohin nuk përputhet me atë që ata dëgjojnë. Pikërisht një situatë e tillë qe ajo me të cilën u përballën të pranishmit në ceremoninë e hapjes.
“Unë jam e gjelbër”, dëgjohet zëri në fillim të videos e në ekran shfaqet ngjyra e kuqe. 20 sekondat e parë të kësaj videoje janë lojë me ngjyra. Pjesa tjetër, lojë me fjalët. “Dashuria do të na ndajë”, thuhet në sfond e në ekran shfaqet shkrimi “E vërteta do të na ndajë”. “E ka lyp” dëgjohet e në ekran shfaqet “U dhunua”. Videoja flet për dhunën, dashurinë, natyrën e fenomene të ndryshme shoqërore. Nuk u la pa u përfshirë as politika. “200 mijë vende të reja të punës,” dëgjohet zëri e në ekran shfaqet “rrenë”. Një tjetër fjali e afishuar është premtimi i kahershëm: “Në shtator udhëtojmë pa viza – deri te kojshitë”.
Aty dëgjohet edhe në serbisht “Kosova është Serbi” e në ekran u shfaqën fjalët “Kosova është Kosovë”, ashtu sikurse “Refugjatët janë të mirëseardhur” shfaqur në video, përderisa narratori thotë se ata “janë kërcënim”. Ky është realiteti dhe “DokuFesti” gjithherë ka qenë një reflektim i tij. (Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)