Dorëzohen me shkrim fjalët përfundimtare në gjykimin për rastin ku u rrah një polic
Në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, ka përfunduar gjykimi ndaj të akuzuarve për pengim të personit zyrtar ne kryerjen e detyrave zyrtare dhe sulm ndaj personave zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, Naser Elshani e Idriz Voci.
Në seancën e së mërkurës, prokurorja Elfete Rugova dhe mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Sabrije Sylaj dhe Asman Hoxha, ia kanë dorëzuar gjyqtarit të çështjes fjalët përfundimtare në formë të shkruar.
Ndërkaq, gjyqtari Qemail Suka bëri të ditur se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 10 dhjetor, në orën 14:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren, të datës 20 shtator 2016, i pandehuri Naser Elshani akuzohet se më 28 gusht 2016, rreth orës 11:20, në fshatin Shirokë, Komuna e Suharekës, me kanosje serioze pengon personat zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, në atë mënyrë që gjatë vizitës së disa qytetarëve serb në një rit fetar në fshatin Mushtisht, Komuna e Suhrekës, derisa zyrtari policor Xhafer Kabashi ishte në detyrë, i pandehuri me një biçikletë i afrohet zyrtarit policor- të dëmtuarit Xhafer Kabashi, i refuzon urdhrat që të largohet, e lëshon biçikletën në tokë dhe i drejtohet me fjalët” juve duhet me jau k*** nanën para tyne, ju jeni më të këqinj se ata, që i mbroni ata…” duke vazhduar që të refuzoj që të largohet.
I akuzuari me këto veprime ka kryer veprën penale “pengim i personit zyrtar ne kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409 paragrafi 1 i KP-së.
Ndërsa, i pandehuri Idriz Voci po atë ditë, i sulmon ose i kanoset seriozisht se do t’i sulmojë personat zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, i cili rezulton me lëndim trupor, ashtu që sa ishte duke u prangosur të pandehurin Naser Elshani, i drejtohet me fjalët “marre marre se çfarë jeni duke bërë për shkije” e më pas papritmas e sulmon fizikisht zyrtarin policor- të dëmtuarin Xhafer Kabashi.
Me këto veprime ka kryer veprën penale “sulmi ndaj personave zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 410 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KP-së. /BetimipërDrejtësi