Dortmundi e sheh Rashicën zëvendësues për Jadon Sanchon
Deklarata e menaxherit të Milot Rashicës se ka ardhur koha që klienti i tij të bëjë hapin e madh në karrierë dhe se dëshiron të luajë në Ligën e Kampionëve, ka gëzuar skuadrën e Borussia Dortmundit.
Mediumet gjermane kanë raportuar të mërkurën se Dortmundi po e përcjell nga afër situatën e Rashicës te Werder Bremeni, pasi sulmuesi kosovar ka stopuar negociatat për kontratën e re, transmeton Koha Ditore.
Mësohet se Werderi dëshiron të mbajë Rashicën sa më gjatë që është e mundur dhe i ka ofruar kontratë të re, por nuk është arritur marrëveshja rreth klauzolës së lirimit të tij.
Rashica ka kontratë me Werderin deri në vitin 2022 dhe është një prej lojtarëve kryesor në ekip.
“Ka ardhur koha që Miloti të bëjë hapin e madh. Miloti dëshiron të luajë në Ligën e Kampionëve në ndonjë periudhë të afërt. Megjithatë, ne jemi të relaksuar dhe nuk kemi nevojë të nxitojmë për asgjë, përfshirë këtu edhe për kontratën me Werderin”, ka thënë menaxheri i Rashicës, Altin Lala. “Në verë kishin pesë oferta nga ekipet e tjera, por Miloti po ndihet mirë te Werderi për momentin, pasi është përshtatur shumë mirë”.