27-11-2024

Dosja e plotë e rastit “Brezovica 1”- Për çka ngarkohen 12 të akuzuarit dhe sa mund të dënohen?

Ndërtimet e jashtëligjshme në Brezovicë, të cilat janë bërë ndër vite në Zonën e Mbrojtur të Parkut Kombëtar “Sharri”, kanë degraduar dhe po rrezikojnë pasuritë e mbrojtura natyrore në këtë park, derisa ato u bënë në sy të institucioneve që kishin për detyrë mbikëqyrjen dhe ruajtjen e kësaj zone.

Arrestime, sekuestrim vilash, sekuestrim të parave, e një sërë veprimesh procedurale u ndërmorën nga ana e prokurorisë lidhur me këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Së fundi, prokurori i rastit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, Rasim Maloku, ka ngritur aktakuzë edhe ndaj 12 personave tjerë, që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim ndikimi, marrje e dhënie ryshfeti e armëmbajtje pa leje.

Listës i prin ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, duke u pasuar nga Dimitrije Recicevic, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit, Hysni Bajrami dhe Dragomir Milosavljeviq, të dy si inspektorë komunal të ndërtimit në Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Shtërpcës, Sasha Milosavleviq si shef i Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Shtërpcës dhe si ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, Arben Çitaku, në cilësinë e ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Bedri Halimi si kryeinspektor në MMPH, Mustafë Hyseni si shef i departamentit për Mbrojtje të Mjedisit dhe Ujërave në MMPH, Hysen Ajdini si investitor, Raif Bajrami, shefi i Inspekcionit në Komunën e Shtërpcës si dhe Sasha Spasiq e Jadran Kostiq.

Prokurori i rastit të famshëm “Brezovica”, Rasim Maloku, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Betimi për Drejtësi”, kishte thënë se ndërtimet në Brezovicë janë si pasojë e mosushtrimit të kompetencave nga institucionet relevante si inspektorati komunal, përkatësisht drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Shtërpcës dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Betimi për Drejtësi”, sjellë dosjen e plotë të aktit akuzues të ngritur më 9 dhjetor 2022 nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Në aktin akuzues, 12 të akuzuarve iu ngarkohen shumë vepra penale:

Bratislav Nikoliq, ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, sipas aktit aktakuzes po akuzohet se ka përfituar kundërligjshëm mbi 1 milion euro, vetura luksoze e tri vikend-shtëpiza në Brezovicë.

Sipas aktit akuzues të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, akuzohet për katër vepra penale: Keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit dhe për armëmbajtje pa leje.

Sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, prokuroria e akuzon Nikoliqin se nga viti 2013 deri në dhjetor 2021, në Shtërpcë ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror, duke mundësuar dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në Zonën e tretë dhe të dytë.

Aktakuza e ngritur më 9 dhjetor 2022, e ngarkon ish-kryetarin Nikoliq se përmes personit përgjegjës të ndërmarrjes “Quko Co”, Alban Quka, ka përfituar 210 mijë euro për 21 leje ndërtimore të vikend-shtëpizave për investitorin “Stella Consulting”.

Ai akuzohet se ka dhënë 21 leje ndërtimore dhe për të gjitha ka përfituar shuma të majme parash dhe atë: 200 mijë euro përfitim për lejen ndërtimore të objektit hotelier “Stella Consulting“, me person përgjegjës, Gentian Sulo, 240 mijë euro nga personi përgjegjës i ndërmarrjes “Euro Sport“, Rijad Hasani, 100 mijë euro për ndërtimin e objektit hotelier “Rimida“, 100 mijë euro nga i pandehuri Blerim lmeri, për marrjen e 10 lejeve ndërtimore, 80 mijë euro nga investitori Liridon Domaneku, për marrjen e lejes për ndërtimin e objektit banesor me 14 apartamente, 30 mijë euro nga personi Husein Ajdini, për marrjen e lejes ndërtimore për objektin hotelier “Rock“, 40 mijë euro nga investitorët e lagjes “Sarova“, 40 mijë euro nga investitorët e lagjes “Kashtanjeva” për marrjen e lejes për gjashtë vikend-shtëpiza, një veturë e markës “Range Rover” në vlerë prej 78 mijë euro, 3 vikend-shtëpiza në vlerë rreth 300 mijë euro.

Në aktin akuzues thuhet se të gjitha këto leje ndërtimore ishin dhënë në kundërshtim me Ligjin për Ujërat  Kosovës, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, Ligjit për Parkun Kombëtar “Sharri“, si dhe në kundërshtim me Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri“.

Nikoliq për këto veprime po akuzohet se ka kryer edhe veprën penale të “Marrjes së ryshfetit”, pasi nga personat e lartcekur ka përfituar shuma të mëdha parash me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete.

Tutje, përveç këtyre dy veprave penale, Nikoliq sipas aktit akuzues po akuzohet edhe se ka ushtruar ndikim tek persona kompetent, përkatësisht të hollat dhe dhuratat që i kishte pranuar nga personat e lartcekur i kishte marrë edhe me qëllim që të ushtrojë ndikim tek drejtori i kadastrit Sasha Milosavljevic dhe drejtori i urbanizimit Dimitrije Recicevic.

Po ashtu, Nikoliq po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Ferizaj edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, pasi siç thuhet në aktakuzë, më 21 dhjetor 2021 në shtëpinë e tij i ishte gjetur një armë e tipit “Cërvena Zastava” dhe dy karikatorë të kalibrit 9 mm dhe një armë shigjetë. Të gjitha këto, i janë sekuestruar nga Policia.

Për gjitha këto, Nikoliq akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par.1 të KPRK-së, vepër penale kjo e cila sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënohet prej gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim.

Po ashtu, akuzohet për veprën penale “Marrje e ryshfetit”, nga neni 428, par.2 të KPRK-së, e cila vepër dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dymbëdhjetë vjet.

Tutje, i njëjti ngarkohet edhe për veprën penale të  “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431, par 1, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tetë vjet.

Ndërsa, për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par. 1 i KPRK-së, mund të dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

Dimitrije Recicevic, Hysni Bajrami, Dragomlr Milsavljeviq dhe Sasha Millosavleviq

Dimitrije Recicevic, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit, Hysni Bajrami dhe Dragomir Milosavljeviq, që të dy si inspektorë komunal të ndërtimit në Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës së Shtërpcës, po akuzohen për dy vepra penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.

Ndërsa, Sasha Milosavleviq akuzohet se nga fillimi i vitit 2010 e deri në fund të vitit 2014, si shef i Drejtorisë së Kadastrit në Komunën e Shtërpcës dhe si deputet i Kuvendit të Kosovës, ka kryer tri vepra penale, atë për marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit dhe për armëmbajtje pa leje.

Sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, prokuroria të akuzuarit Recicevic, Bajramin dhe Milosavljeviq i akuzon se nga fillimi i vitit 2013 deri më 21 dhjetor 2021, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, duke mundësuar dhënien e lejeve ndërtimore me qëllim të përfitimit pasuror nga investuesit, ku secili aplikim për leje mbikëqyrej nga i pandehuri Bratislav Nikoliq, e i cili sipas prokurorisë akuzohet për 4 vepra penale lidhur me këtë çështje penale.

Akti akuzues i prokurorisë po i ngarkon të tre të pandehurit, Revicevic, Bajrami dhe Miloslavijeviq se nuk kanë ndërmarrë veprime ekzekutive për ndërprerjen e punimeve të vikend-shtëpizave që ndërtoheshin pa leje. Por, sipas aktakuzës, të dy ish-inspektorët e Shtërpcës, Bajrami dhe Miloslavijeviq në bashkëveprim me drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit, kanë marrë para në shuma prej 5 mijë euro.

Këta të fundit, akuzohen se i kanë marrë 14 mijë euro nga personi përgjegjës i ndërmarrjes “Quko Co”, të gjithë këtë shumë për ndërtimin e 10 vikend-shtëpizave për persona fizik si dhe për 6 vikend-shtëpiza në lagjen “Kashtanjeva”.

Në aktakuzë, thuhet se me këto ndërtime në Parkun Kombëtar “Sharri” është bërë degradimi i papërmirësueshëm i mjedisit dhe janë rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore në Parkun Kombëtar “Sharri“, zona e Brezovicës.

Po ashtu, për këto veprime të akuzuarit Recicevic, Bajramin dhe Milosavljeviq po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale të “Marrjes së ryshfetit”, se kanë përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë, me qëllim që të mos veprojnë sipas detyrave zyrtare.

Për veprën penale në bashkëkryerje “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimit nga neni 422, par.1 lidhur me par.2, nënpar 2.2 të KPRK-së, Recicevic, Bajrami dhe Milosavljeviq mund të dënohen prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim.

Në bashkëkryerje, ata akuzohen edhe për veprën penale “Marrje e ryshfetit” nga neni 428, par. 3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, ku kryerësi dënohet me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.

Dimitrije Recicevic gjithashtu akuzohet edhe për tri vepra të tjera penale, për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1 lidhur me par. 2, nënpar 2.2 të KPRK-së, e cila dënohet prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim.

I njëjti akuzohet edhe për “Marrje ryshfeti”, nga neni 428, par. 2, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej 3 deri në 12 vjet.

Lidhur me veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, Recicevic akuzohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, për lëshimin e dy lejeve ndërtimore, ka marrë një veturë “Shkoda Karavan” në vlerë prej 9 mijë euro në auto sallonin “Alberti” në Çagllavicë, të paguara nga personi përgjegjës i NN “Quka- CO”.

Po ashtu, për këto veprime i akuzuari Recicevic, po akuzohet se ka kryer edhe veprën penale të “Marrjes së ryshfetit”, se ka përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë me qëllim që të mos veprojë sipas detyrave të tij zyrtare.

Ai akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par. 1 të KPRK-së, për të cilën mund dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

Asnjë koment

Comments are closed.