Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për rastin “Subvencionet 3”, për veprat penale si mashtrim me subvencione, marrje e dhënie ryshfeti po akuzohen Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Veton Prekazi, Halit Avdijaj, Salih Statovci, Bejtush Gashi, Afrim Abazaj, Arbër Avdijaj, Sadush Kabashi dhe Kumrije Maxharra.
Lidhur me këtë rast, këtë të premte në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar nis gjykimi pasi munguan njëri i akuzuar dhe avokati i tij.
Arrestime, sekuestrime e një sërë veprimesh procedurale ishin ndërmarrë nga Prokuroria Speciale në rastin e njohur “Subvencionet”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Persona zyrtarë dhe persona që kanë aplikuar për subvencione dyshohen se kanë mashtruar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.
Këto veprime të kundërligjshme, sipas PSRK-së, të njëjtit akuzohen se i kanë bërë me qëllim të përfitimit nga subvencionet e ndryshme në sektorin e bujqësisë.
“Betimi për Drejtësi”, sjell detaje për secilin të akuzuar se për çfarë veprash penale ngarkohet bazuar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, në pikën 1 të saj thuhet se në muajin dhjetor 2020, në Istog, i pandehuri Hasan Maxharraj në cilësinë e personit zyrtar, si zyrtar për Zhvillimin e Bujqësisë në Drejtorinë për Bujqësi në Komunën e Istogut, në bashkëkryerje me të pandehurin Luan Statovci, drejtor për Pagesa Direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë pranojnë ryshfet nga Arbër Avdijaj që të veprojnë në kundërshtim me detyrën zyrtare, në atë mënyrë që derisa Arbër Avdjiaj aplikon për subvencione në emër të Halit Avdijaj, i pandehuri Hasan Maxharraj dhe Arbër Avdijaj takohen në restorantin “Trofta” në Istog dhe arrin marrëveshje që t’i mundësojë që Arbër Avdiajaj të përfitojë subvencion në mënyrë të kundërligjshme në këmbim të ryshfetit në vlerë 30 mijë euro.
Pastaj, pasi Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) ekzekuton pagesat, Arbër Avdijaj pranon subvencion në vlerë 72 mijë e 748 euro, i pandehuri Hasan Maxharraj shkon në fabrikën “Agroprodukt”, në fshatin Sinajë dhe nga Besim Loshi e në prani të Arbër Avdijaj pranon ryshfet në vlerë 30 mijë euro , pastaj sipas marrëveshjes paraprake nga kjo shumë i pandehuri Hasan Maxharraj 18 mijë i ndalë për vete, ndërsa shumën prej 12 mijë euro pas një kohe ia dorëzon të pandehurit Luan Statovci.
Me këto veprime PSKR-ja i ngarkon të pandehurit Hasan Maxharraj dhe Luan Statovci se në bashkëkryerje në vazhdimësi kanë kryer veprën penale Marrje Ryshfeti nga neni 421 paragrafi 3 lidhur paragrafin 2 dhe lidhur me nenin 31 dhe 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
E, sipas pikës 2 të kësaj aktakuze, i pandehuri Hasan Maxharraj akuzohet se në muajin dhjetor 2019, në fshatin Sinajë, Komuna Istog, në fabrikën “Agroprodukt”, i njëjti pranon ryshfet nga Arbër Avdijaj që të veprojnë në kundërshtim me detyrën zyrtare me qëllim që t’i mundësojnë të përfitojë subvencion në mënyrë të kundërligjshme, në atë mënyrë që derisa Arbër Avdijaj në emër të Halit Avdijaj aplikon për subvencione, të njëjtit takohen në restorantin “Trofta” në Istog dhe arrin marrëveshje që t’i mundësojë të përfitojë subvencion Arbër Avdijaj në mënyrë të kundërligjshme në këmbim të ryshfetit në vlerë 15 mijë euro, pastaj pasi AZHB-ja ekzekuton pagesat, Arbër Avdijaj pranon subvencion në vlerë 70 mijë e 985 euro, dhe pas disa ditësh i pandehuri Hasan Maxharraj shkon në fabrikën “Agroprodukt” në fshatin Sinajë dhe nga Besim Loshi e në prani të Arbër Avdijaj në një zarfe pranon ryshfet në vlerë me vlerë 15 mijë euro.
Me këtë Hasan Maxharraj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrje Ryshfeti” nga neni 421 paragrafi 2 lidhur me nenin 77 Veprat penale në vazhdim të KPKR-së.
Ndërsa, i pandehuri Arbër Avdijaj në pikën 3 dhe 4 të aktakuzës po akuzohet për dhënie ryshfeti sipas përshkrimit të lartcekur në pikën 1 dhe 2 të aktakuzës.
Pra, në pikën 3 të aktakuzës Arbër Avdijaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënie Ryshfetit” nga neni 422 paragrafi 2 lidhur me nenin 77 veprat penale në vazhdim të KPRK-së.
Ndërsa, sipas pikës 4 të aktakuzës, Arbër Avdijaj po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Dhënie Ryshfeti” nga neni 422 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 3 lidhur me nenin 77 veprat penale në vazhdim të KPKR-së.
Tutje, pika 5 dhe 6 e kësaj aktakuze e ngarkon Abër Avdijaj edhe për mashtrim me subvencione.
Në pikën 5 të aktakuzës thuhet se më 12 korrik 2019, i pandehuri Arbër Avdijaj me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka bërë mashtrim me subvencione duke paraqitur të dhëna të pa sakta në AZHB, në atë mënyrë që, gjatë kohës së aplikimit takohet me të pandehuri Hasan Maxharraj në restorantin “Trofta” në Istog dhe arrin marrëveshje që t’i mundësojë të përfitojë subvencion në mënyrë të kundërligjshëm, pastaj aplikon për subvencion në emër të Halit Avdijaj në bazë të aplikimit për Bujqësi Organike-Bimë Mjekësore dhe Aromatike për sipërfaqe 141.97, mirëpo duke mashtruar me sipërfaqe fiktive prej 29.47 hektar, nga kjo sipërfaqe e shtuar ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën 14 mijë e 700 euro.
Me këtë Arbër Avdijaj akuzohet se ka kryer veprën penale Mashtrim me Subvencione nga neni 324 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 veprat penale në vazhdim të KPRK-së.
Tutje, në pikën 6 të aktakuzës, thuhet se më 28 gusht 2020, në Istog, i pandehuri Arbër Avdijaj me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka bërë mashtrim me subvencione duke paraqitur të dhëna të pa sakta në AZHB ashtu që gjatë kohës së aplikimit takohet me të pandehuri Hasan Maxharraj në restorantin “Trofta” dhe arrin marrëveshje që t’i mundësojë të përfitojë subvencion në mënyrë të kundërligjshme, pastaj aplikon për subvencione në emër të Halit Avdijaj në bazë të aplikimit për Bujqësi Organike-Bimë Mjekësore dhe Aromatike për sipërfaqe të përgjithshme 150.65 hektar, mirëpo duke mashtruar me sipërfaqe fiktive prej 101.55 hektar, nga kjo sipërfaqe e shtuar ka përfituar në mënyrë të kundërligjshëm shumën 48 mijë e 498 euro.
Me këto veprime Arbër Avdijaj po ngarkohet ka kryer veprën penale Mashtrim me Subvencione nga neni 324 paragrafi 1 lidhur paragrafin 3 dhe nenin 77 Veprat penale në vazhdim të KPRK-së.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në pikën 7 të saj i pandehuri Luan Statovci po akuzohet se më 16 dhjetor 2020, në cilësi të personit zyrtar, drejtor për Pagesa Direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë pranon ryshfet përmes Afrim Abazaj nga i pandehuri Sadush Kabashi që të veprojë në pajtim me detyrën zyrtare, në atë mënyrë që derisa i pandehuri Sadush Kabashi kishte përfituar grant në emër të N.P.T “Agro Kabashi” dhe lidhë Kontratë me AZHB për financimin e projekteve investuese të zhvillimit rural, në vlerë 194 mijë e 908 euro, mirëpo gjatë procedurës së implementimit të projektit AZHB-ja i refuzon pagesën kinse ka rënë në vonesë dhe gjatë kohës së ankimit i pandehuri Sadush Kabashi takohet me të pandehurin Luan Statovci në zyrën e tij dhe e njofton se iu është refuzuar pagesa për shkak të vonesave.
Pastaj lidhur me këtë çështje Afrim Abazaj në koordinim me të pandehurin Luan Statovci takohet me Sadush Kabashin në fshatin Gurrakoc, dhe arrin marrëveshje që për kryerjen e pagesave të grantit të jepen ryshfet në vlerë 30 mijë euro, pastaj i pandehuri Sadush Kabashi pasi pranon pagesat për subvencion së bashku me Afrim Abazaj shkojnë në BPB bankë në Istog tërheq parat dhe ia dorëzon Afrim Abazaj shumën 30 mijë euro, pastaj ky i fundit këto para pasi koordinohet me të pandehurit Luan Statovci, me datë 16 dhjetor 2020, në fshatin Zallqë, Komuna e Istogut, në një qese plastike shumën 30 mijë euro, ia dorëzon vëllait të tij Salih Statovci në veturën xhip Mercedes.
Ndërsa, në pikën 8 të akuzës, i pandehuri Salih Statovci po akuzohet se e ka ndihmuar vëllain e tij të pandehurit Luan Statovci, të pranon ryshfet sipas përshkrimit të lartcekur.
Me këtë i pandehuri Salih Statovci po akuzohet ka kryer Ndihmë në veprën penale “Marrja e Ryshfetit” nga neni 421 paragrafin 3 lidhur paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 33 të KPKR-së.
Edhe i pandehuri Afrim Abazaj sipas pikës 9 të akuzës, po akuzohet se nga data 30 nëntor 2020 deri më 16 dhejtor 2020, ka nidhmuar të pandehurin Luan Statovci që të pranojë ryshfet nga i pandehuri Sadush Kabashi në atë mënyrë që derisa i pandehuri Sadush Kabashi në emër të N.P.T “Agro Kabashi”, lidhë Kontratë për Financimin e Projekteve Investuese të Zhvillimit Rural në vlerë 194 mijë e 908 euro, mirëpo gjatë procedurës së implementimit të projektit AZHB-ja i refuzon pagesën se ka rënë në vonesë, pastaj lidhur me këtë çështje i pandehuri Luan Statovci përmes të pandehurin Afrim Abazaj i kërkon ryshfet në vlerë 30 mijë euro Sadush Kabashit në takimin e mbajtur në Gurrakoc.
Pastaj i pandehuri Sadush Kabashi pajtohet dhe pasi pranon pagesat për subvencion, me 30 nëntor 2020 shkon në BPB bankë së bashku me Afrim Abazaj dhe i tërheq parat në vlerë 10 mijë euro, pastaj të nesërmen më 1 dhjetor 2020 i tërheqin edhe 20 mijë euro dhe shumën e përgjithshme 30 mijë euro ia dorëzon të pandehurit Afrim Abazaj, pastaj ky i fundit pasi koordinohet me të pandehurit Luan Statovci, me datë 16.12.2020, në orën 09.30 në fshatin Zallqë, ia dorëzon vëllait të tij Salih Statovci në veturën xhip Mercedes në një qese plastike shumën 30 mijë euro.
Me këto veprime Afrim Abazaj ngarkohet se ka kryer veprat penale Ndihmë në Marrje e Ryshfeti nga neni 421 paragrafin 3 lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 33 të KPKR-së.
Tutje, në pikën 10 të aktakuzës, i pandehuri Sadush Kabashi, po akuzohet se i njejti përmes të pandehurit Afrim Abazaj i jep para ryshfet të pandehurit Luan Statovci, në atë mënyrë që derisa i pandehuri Sadush Kabashi në emër të N.P.T “Agro Kabashi” me datë 12 dhjetor 2018, lidhë Kontratë për Financimin e Projekteve Investuese të Zhvillimit Rural në vlerë 194 mijë e 908 euro, mirëpo gjatë procedurës së implementimit të projektit AZHB-ja i refuzon pagesën se ka rënë në vonesë dhe i pandehuri Sadush Kabashi takohet me të pandehurin Luan Statovci në zyrën e tij dhe i njëjti e njofton se iu është refuzuar pagesa.
Pastaj lidhur me këtë çështje i pandehuri Luan Statovci përmes të pandehurit Afrim Abazaj i kërkon Sadush Kabashit ryshfet 30 mijë euro , në takimin e mbajtur në Gurakoc, pasi pranon pagesat për subvencion dhe pastaj shumën prej 30 mijë euro ia dorëzon të pandehurit Afrim Abazaj, pastaj ky i fundit pasi koordinohet me të pandehurin Luan Statovci dhe më 16 dhjetor 2020, në fshatin Zallqë, në një qese plastike shumën 30 mijë euro, ia dorëzon vëllait të tij Salih Statovci në veturën xhip Mercedes.
Me këto veprime i pandehuri Sadush Kabashi akuzohet ka kryer veprën penale Dhënie Ryshfeti nga neni 422 paragrafin 3 lidhur me paragrafin 1 të KPKR-së.
Në vazhdim pika 11 e aktakuzës thotë se, në mesin e muajit dhjetor 2016, në Prishtinë, në lagjen Bregu i Diellit, i pandehuri Veton Prekazi në cilësinë e personit zyrtar, si Zyrtar në Divizionin e Projekteve për zhvillim rural në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë përmes Bejtush Gashi ka pranuar ryshfet nga i pandehuri Halit Avdijaj që të veprojë në pajtim me detyrën zyrtare.
Aktakuza thotë se fillimisht Bejtush Gashi kërkon nga Veton Prekazi që t’i ndihmojë të pandehurit Halit Avdijaj të përfitojë një grant, pastaj Halit Avdijaj aplikon me projekt “Zgjerimi i Objektit për përpunimin, magazinimin dhe përmirësimin e praktikave të përpunimit”, i pandehuri Veton Prekazi gjatë procedurës merr pjesë në vlerësimin dokumentacionit dhe pas një kohe e njofton Bejtush Gashin se projekti nga “Agroprodukt”, është përfitues i grantit për vitin 2016/2017, në shumën prej 391 mijë e 578 euro.
E lidhur me këtë pas disa ditësh i pandehuri Halit Avdijaj takohet në Prishtinë afër Hotel “Sëiss Daimond” dhe ia dorëzon shumë 10 mijë euro Bejtush Gashit, dhe të njëjtën ditë ky i fundit ia dorëzon të pandehurit Veton Prekazi shumën prej 10 mijë euro në një zarf në veturën e tij “Rang Rover” në parking para banesës së tij te Qendra Tregtare në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.
Me këtë i pandehuri Veton Prekazi po akuzohet se ka kryer veprën penale Marrja e ryshfetit nga neni 428 paragrafi 1 të KPKR-së.
Ndërsa, në pikën 12 të aktakuzës, i pandehuri Halit Avdijaj sipas përshkrimit në pikën 11 po akuzohet për dhënie ryshfeti.
E me këtë i pandehuri Halit Avdiaj akuzohet se ka kryer veprën penale Dhënie Ryshfetit nga neni 429 paragrafi 1 të KPRK-së.
Kurse, pika 13 e aktakuzës e ngarkon Bejtush Gashin se e ka ndihmuar të pandehurin Veton Prekazi në marrjen e ryshfetit nga i pandehuri Halit Avdijaj në atë mënyrë që është përshkruar më lartë në pikën e 11.
Me këtë PSRK-ja e akuzon të pandehurin Bejtush Gashi ka kryer veprën penale Ndihmë në veprën penale Marrje Ryshfeti nga neni 428 paragrafi 1 lidhur me nenin 33 të KPKR-së.
Ndërkaq, sipas kësaj akuze e pandehura Kumrije Maxharraj nga 1 gusht 2020 deri më 24 shkurt 2021 akuzohet se ka ndihmuar të pandehurin Hasan Maxharraj të bëjë mashtrim me subvencion duke paraqitur të dhëna të pa sakta në AZHB, në atë mënyrë që e pandehura Kumrije Maxharraj i jep dokumentacionin personal të pandehurit Hasan Maxharraj dhe me 28 gusht 2020 aplikon në Komunën e Istogut për përfitimin e subvencioneve duke përdor kontrata të falsifikuara kinse ka marr prona me qira dhe nënshkruan në kontrata në emrin e Kumrije Maxharraj si qiramarrëse dhe si qiradhënës në emër të personave Radislav Pantiq, Miljan Popovic, Miljan Xholiq, Vuqko Lacmanovic, Ostajiq Nedeljko, Dobrosav Memarovic, Radoje Popovic, Miroslav Popovic, Spasoje Romanoviq, Ljishiq Koeusha, Bojiq Verica, Qedomir Spasiq, Radosav Xhokiq, Besnike Avdijaj dhe Nedeljko Ostojiq.
Pastaj më 18 nëntor 2020 në AZHB paraqet certifikatën e nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme nga kompania “Bio-Q-Check” kinse ka të mbjellë Bimë Organike-mjekësore aromatike në sipërfaqe prej 44.9 hektar, pastaj AZHB-ja ekzekuton pagesat për subvencione dhe në llogarinë bankare të Kumrije Maxharraj transferohen parat në shumë prej 42 mijë e 184 euro e50 centë, prej tyre 3 mijë euro i ndal për vete, ndërsa të pandehurit Hasan Maxharraj ia dorëzon shumën 39 mijë e 184 euro.
Me këto veprime Kumrije Maxharraj akuzohet nga PSRK se ka kryer veprën penale Ndihmë në veprën penale Mashtrim me Subvencione nga neni 324 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 33 të KPKR-së. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.