Dosja të arrestuarit nga Prizreni që njëherë sulmoi familjarët, pastaj edhe policët që erdhen ta arrestonin
Policëve që i sulmoi pasi shkuan të intervenojnë në shtëpinë e tij për shkak të dhunës që kishte ushtruar në familje iu doli punë deri në arrestimin e tij. Por këto s’janë rastet e vetme. K. Buduri, 32-vjeçari nga Prizreni, që u arrestua të martën për dhunë në familje dhe sulm ndaj tre zyrtarëve të Policisë në Prizren është recidivist i veprave të ndryshme penale.
Buduri për 9 vjet është dënuar plot 13 herë për vepra të ndryshme penale. Gazeta Sinjali ka siguruar dosjen me të gjitha rastet për të cilat është dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren.
Nga Gjykata kanë bërë të ditur për Sinjalin se qysh në vitin 2011, Buduri, që atë kohë ishte 21-vjeçar ishte dënuar për veprën penale “Pengim i personit zyrtar”. Dy vite më vonë, ndaj Budurit ishte shqiptuar dënim me burgim, për një rast tjetër, për veprën “Lëndim i lehtë trupor”.
Dosja e tij u zgjerua në vitin 2014, kur u dënua me burgim po ashtu për kanosje. Po atë vit, ai u dënua edhe me gjobë për “Lëndim i lehtë trupor”. Për të njëjtën vepër, ai u akuzua edhe në vitin 2015, kur u dënua me 5 muaj burgim me kusht, si dhe në vitin 2016.
Ndërsa në vitin 2017, ai u akuzua dhe u dënua për kanosje dhe sulm ndaj personit zyrtar, me ç’rast Gjykata i shqiptoi masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri. Pas dy muajsh të atij viti, ai u dënua sërish për lëndim të lehtë trupor.
Me të kryer dënimin për veprën që u akuzua në viti 2017, 32-vjeçari nisi edhe vitin 2018 me probleme. Ai u dënua në mars të atij viti me 300 euro gjobë për veprën “Asgjësim i pasurisë së huaj.”
Si emër i njohur për Policinë, ai përfundoi dy herë në bankën e të akuzuarve edhe në vitin 2019, me ç’rast u dënua për dy raste, njëri me burgim, tjetri me gjobë.
Vitin e kaluar dosja e tij u pasurua, duke arritur kështu 13 raste për të cilat u dënua nga Gjykata Themelore në Prizren
Siç mëson Sinjali, Buduri është po ashtu përdorues i substancave narkotike.
Çka dihet për rastin e fundit?
Gjithçka dyshohet se kishte nisur në orët e mbrëmjes të së hënës, ku pas një mosmarrëveshje në shtëpi, konflikti verbal kishte eskaluar në rrahje, ashtu që i dyshuari ka sulmuar fizikisht dy prindërit e tij dhe bashkëshorten. Për shkak të frikës nga djali që është recidivist i rasteve të dhunës në familje, dikush prej tyre ka arritur që të njoftojë Policinë për të intervenuar.
Në momentin që patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes, i dyshuari iu është vërsulur edhe atyre, duke i sulmuar tre policët që ndodheshin në veturën zyrtare, të cilën po ashtu ua ka dëmtuar.
Ai arriti të largohej ato momente me veturën e tij, të cilën e braktisi, për të vazhduar me një veturë tjetër, derisa pas mesnatës Policia arriti ta kap në njërën nga rrugët e qytetit. Por i dyshuari sërish ka tentuar të ikë, çka e bëri Policinë t’i vihet pas derisa u arrestua.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit i njëjti është ndaluar për 48 orë për veprat penale “Dhunë në familje, Vrasje në tentativë dhe Dëmtim i pronës”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.