Dragash: Dënohet i akuzuari që pranoi se grushtoi dy persona dhe dëmtoi një veturë nga gëzimi i fitores së VV-së në zgjedhje
I akuzuari Driton Asani, e ka pranuar fajësinë se tri ditë pasi që kishin përfunduar zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, nga gëzimi i fitores së Lëvizjes “Vetëvendosje”, kishte kryer dy vepra penale.
Ai akuzohet se më 9 tetor 2019, kishte shkuar para objektit të Komunës së Dragashit, ku kishte bërtitur “ka ardhur dita”, e më pas kishte sulmuar dy të dëmtuarit, si dhe kishte dëmtuar veturën e njërit prej tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për këto veprime, ai ngarkohej për dy vepra penale, atë të sulmit dhe të asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë.
Për të dy këto vepra, të enjten, ndaj tij është shqiptuar dënim unik prej dy muajsh burgim me kusht, i cili nuk do të ekzekutohet në periudhën verifikuese prej një viti, nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale.
Aktgjykimin ndaj të akuzuarit Asani, e ka shpallur gjyqtari i çështjes, Bekri Vehapi, me ç’rast i akuzuari gjithashtu është obliguar edhe me shpenzimet procedurale dhe atë 20 euro, në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro për fondin e viktimave të krimit.
Para se të shpallej aktgjykimi, i akuzuari e ka pranuar fajësinë.
“Po e kam bo. Në ato momente s’kam qenë vetja, tek pastaj e kam kuptu çfarë budallaki kam bo. S’di as vet si kam mundur të bëj ato veprime. E pranoj, mirëpo nuk kam qenë i vetëdijshëm. E pranoj veprën pa presion dhe me vullnet të lirë dhe pendohem dhe me vjen shumë keq”, ka thënë i akuzuari.
Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Besim Susuri dhe më pas e ka aprovuar gjykatësi Vehapi.
Sipas aktakuzës së ngritur më 22 nëntor 2019, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Driton Asani, akuzohet se më 9 tetor 2019, rreth orës 8:30, para objektit të Komunës së Dragashit, me dashje i sulmon të dëmtuarit Sejat Emini dhe Bexhet Krasniqi.
Në aktakuzë thuhet se ai fillimisht bërtet para komunës me fjalët “ka ardhë dita” dhe pasi ia kishte dëmtuar veturën të dëmtuarit Emini, ky i fundit shkon në drejtim të të pandehurit për t’i thënë që të mos ia dëmtojë veturën, i pandehuri e sulmon me grushte në kokë dhe fytyrë, e me pas e sulmon edhe të dëmtuarin tjetër, Bexhet Krasniqi, duke e goditur me grushte.
Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “sulm”, e paraparë në nenin 185, paragrafi 1 i KPRK-së.
Ai akuzohet se në vend dhe në kohë të njëjtë, ia dëmton veturën e markës “Mercedes”, të dëmtuarit Sejat Emini, duke i shkaktuar kështu dëme materiale.
Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “asgjësim apo dëmtim i pasurisë së huaj”, nga neni 329, paragrafi 1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi