Drejtori në Agjencinë Kadastrale deklarohet i pafajshëm për keqpërdorim detyre
Drejtor i Drejtorisë Ligjore në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Ismet Kryeziu, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, është deklaruar i pafajshëm, në seancën fillestare të së hënës, në Gjykatën Themelore të Prizren.
I pafajshëm për uzurpim të pronës së paluajtshme, është deklaruar edhe i akuzuari Xhavit Shabani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ervehe Gashi, Ismet Kryeziu dhe i akuzuari Xhavit Shabani, secili veç e veç, kanë deklaruar se nuk e ndiejnë veten fajtorë për akuzat që ngarkohen.
Gjykatësja Ajser Skenderi, shqyrtimin e dytë e caktoi, më 9 janar 2019, në orën 9:30.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 31 tetor të vitit 2018, Ismet Kryeziu, si zyrtar ligjor i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, gjatë periudhës kohore 2007-2016 ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie pasurore për personin tjetër, me ç’rast i ka shkaktuar dëm personave të tjerë.
Aktakuza thotë se më 21 maj 2007, Kryeziu, ka marrë aktvendim në kundërshtim me Ligjin mbi tokën ndërtimore, me të cilin vendim ka aprovuar pjesërisht ankesën e ”Mali – Impex” në Prizren për bartjen e të drejtës së shfrytëzimit të një pjese të ngastrës, pronar i së cilës ishte Komuna e Prizrenit.
Me këtë, Ismet Kryeziu, akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ndërsa, i akuzuari i dytë Xhavit Shabani, ngarkohet me veprën penale të uzurpimit të paligjshëm të pronës së paluajtshme sepse, sipas aktakuzës, në vitin 2012 e në vazhdimësi në mënyrë të kundërligjshme e kishte uzurpuar pronën e paluajtshme shoqërore, në pronësi të Komunës së Prizrenit, së bashku me të gjitha objektet e ndërtuara në të.
Në aktakuzë thuhet se Shabani kishte uzurpuar hapësirat të cilat i takojnë Komunës së Prizrenit në bazë të kontratës mbi realizimin e tregut të qytetit në lagjen ”Ortakoll” dhe ankesave të kontratës në fjalë.
Me këtë, Xhavit Shabani, akuzohet se kryer veprën penale “uzurpim i paligjshëm i pronës se paluajtshme” nga neni 332 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi/