24-11-2024

Driton Selmanaj: LDK në Prizren s’ka mirëkuptim ndaj asambleistëve për veprime kundër vendimeve partiake

Edhe drejtues të degës së LDK-së në Prizren, janë shprehur kundër “tyxarllëkut” të asamblesitëve të Komunës, të cilët votojnë për interesa personale, dukuri kjo që po shkonte drejt normalizimit. Ata thanë se pavarësisht respektimit të mendimit ndryshe, nuk ka mirëkuptim për sjellje dhe veprime kundër vendimeve partiake dhe platformës politike të LDK-së, shkruan Gazeta e Prizrenit.

LDK është partia e dytë më e madhe opozitare, pas Vetëvendosjes në Prizren. Ardhja e Driton Selmanajt, në krye të degës së LDK-së, ia ka prishur planet “strategëve” të pushtetit, të cilët, siç u pa në fillim të mandatit jo që s’kishin ndonjë vështirësi, por që përmes asambleistëve “tyxharë” i realizonin qëllimet “për shtatë palë qejfe”.

Me aksionin e fundit “Shtëpia e punësimeve – Totaj family” të mbajtur para selisë së Kuvendit Komunal (KK), ku ndodhet edhe zyra e Kryetarit, organizuar pas punësimit në arsim të nuses së djalit të Totajt, e sidomos pas kallëzimeve penale ndaj tre drejtorëve komunal, njërin prej të cilëve tashmë e ka pranuar Prokuroria e Apelit në Prishtinë, del se në LDK “po fryn erë” tjetër. Veprimet e dukshme çojnë drejt të kuptuarit se aktualisht bajraktar i opozitarizmit është subjekti deri dje i “fjetur”.

Qëndrimet e fundit të saj, jo që ia kanë vështirësuar, por pothuajse ia kanë prishur komoditetin qeverisjes së Totajt, e cila sapo ka filluar ta ndjej “djersitjen” nga opozita.

Këtë e tregoi edhe dështimi i seancës së KK-së javën e kaluar, kur për mungesë numrave për votimin e rendit të ditës, mbledhja u ndërpre. Kjo dëshmoi se pushteti nuk ma më shumë se 12 vota, apo as 1/3 e numrit të total të kuvendarëve, shkruan Gazeta e Prizrenit.

PDK që drejton qeverisjen lokale shkaku i kryetarit, bashkë me partnerët e koalicionit (Nismën Vakat e KDTP-në) zyrtarisht i ka 12 vota nga 41 sa ka gjithsej KK.

Brengë për opozitën përbën qëndrueshmëria kontinuale e kuvendarëve për t’ia pamundësuar qeverisjes së Totajt rehatllëkun, përkundër mungesës së votave dhe perfomancës jo të mirë, të dalë edhe në raportin e sapopublikuar nga Ministria e APL-së për vitin 2022. Pasigurinë e shton strategjia e pushtetit, që ka arritur t’i sigurojë votat, përmes joshjes personale të kuvendarëve të partive tjera, madje edhe me aso që kanë të bëjnë me punësime të tyre apo familjarëve.

Në këtë kontekst, Selmanaj i LDK-së, ka thënë se në demokraci është standard minimal respektimi i vendimeve të organeve të partisë dhe lojaliteti ndaj programit dhe ideologjisë partiake dhe se LDK është avokuese e fuqishme për krijim të mundësive dhe hapësirave për debate të brendshme duke mirëkuptuar diversitetin e mendimeve.

“Vendimet e partisë sonë në masën e madhe merren me konsensus maksimal ose përmes parimit të shumicës, si rregull elementar i demokracisë. Sjellja dhe vendimi ndryshe nga vendimarrja partiake, nënkupton edhe shprehje të vullnetit për t’u larguar nga këto standarde dhe rrjedhimisht ndarja e rrugëve me subjektin që deri dje kanë afiliuar. LDK skajshmërisht respekton mendimin ndryshe të gjithsecilit, por nuk ka mirëkuptim për sjellje dhe veprime kundër vendimeve partiake dhe kundër platformës politike të LDK-së”, tha ai për portalin Gazeta e Prizrenit.

Edhe drejtues të degës së Vetëvendosjes e AAK-së, që janë pjesë e opozitës në Prizren, janë shprehur kundër qëndrimit të asamblistëve, të cilët votojnë sipas interesave personale.

Megjithatë kjo mbetet të shihet në mbledhjet e ardhme të KK-së, sikur është ajo e datës 9 shkurt. /GazetaePrizrenit.net

Lexo edhe:

Abrashi: Vetëvendosje parasheh masa deri te përjashtimi nga lista për kuvendarët “tyxharë”

Asnjë koment

Comments are closed.