Droga në Has, zbulohet njëri prej transportuesve
Elis Bahushi, personi që shikoni në foto është njëri nga 27 të arrestuarit i akuzuar si i përfshirë në ngritjen e laboratorit të përpunimit të heroinës së Brenog të Hasit te Shqipërisë.
Nga hetimet e deri tanishme dyshohet se, 35-vjeçari ka pasur rolin e trasnportuesit të lëndës narkotike dhe përbërësve të saj nga Turqia drejt vendit tonë. Disa hyrje dalje nga sistemi TIMS, ku Elis Bahushi ka udhëtuar më shpesh në Turqi, Maqedoni dhe Kosovë, provohen nga dokumenti i mëposhtëm. Organi i akuzës kërkon informacion nga homologët turq se kë ka takuar në Stamboll në datat 25 dhe 26 tetor Elis Bahushi, ku janë administruar edhe bilatat e tij të udhëtimit.
Uniformat blu pohojnë se Bahushi dhe familja e tij prej më shumë se 25 vitesh ushtrojnë aktivitetin e tyre tregtar në qytetin e Elbasanit, kryesisht në fushën e veshjeve dhe metrazhit. Furnizimin me lëndë të parë familja Bahushi e kryente në Turqi dhe për këtë arsye ka dyshime nga prokurorisë se, dy ekspertët turq, të cilët janë shpallur në kërkim nga policia shqiptare të jenë dërguar në vendin tonë nga 35-vjeçari Elis Bashushi.
Gjykata e Krimeve të Rënda, ditën e enjte ka vendosur të lërë në burg biznesmenin bashkë me mikun e tij Orges Jahelezi, masë e cila ishte vendosur më herët edhe nga gjykata e Elbasanit.
Ndërkohë, ideatori i krijimi të laboratorit të përpunimit të heroinës, Admir Hoxha është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia e Shtetit, ku për kapjen e tij kërkohet ndihma e homologëve gjermanë dhe italianë. Hoxha mundi t’i shpëtonte prangosjes bashkë me dy ekspertë turq dhe një kosovar, të cilët u larguan nga vendi ynë disa ditë para se të zhvillohej operacioni ku përfunduan në pranga 27 persona dhe u lëshuan 44 urdhër-arresti. Mes të prangosurve ishin edhe dy deputetët e Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Arben Çuko./syrinet