Droga në mulli të Shirokës, arrestohet i dyshuari i shtatë, është shtetas i Turqisë
Pesë javë pasi u zbulua laboratori i drogës në një mulli në fshatin Shirokë të Suharekës, Policia ka arrestuar personin e shtatë të dyshuar. Në pranga ka përfunduar në shtetas i Turqisë i cili sot ose nesër del para Gjykatës.
“Lidhur me rastin (zbulimi i laboratorit të drogës) pas hetimeve të zhvilluara është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Turqisë. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, kanë thënë në policia.
Deri më tani të arrestuar në lidhje me këtë rast janë edhe Milazim Voci, Alban Maloku, Filip Mishevski, Eroll Marko, Alajdin Ramadani dhe Ertan Daciki.
Sipas prokurorisë, grupi i të arrestuarve, nga data e pavërtetuar e deri me datë 16.02.2022, pa autorizim, kanë kultivuar bimën e hashashit, shkurres së kokainës ose bimën e kanabisit, me qëllim të prodhimit të narkotikeve ose substancave psikotropike, në atë mënyrë që në bashkëkryerje me njëri – tjetrin kanë kultivuar bimën narkotike brenda një objekti që ka shërbyer si mulli në fshatin Shirokë – Komuna e Suharekës, dhe atë në katin e 7-të, ashtu që me datë 16.02.2022, rreth orës 14:15 minuta, me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit, në objektin e cekur është zbuluar vendi ku bëhej kultivimi i bimës narkotike, pajisjet dhe materialet për kultivimin e bimës narkotike si dhe rreth 32 kg, substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes, si dhe 2059 saksi – vazo, që kishin të mbjellura bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa, e po ashtu në vendin e ngjarjes janë zënë në flagrancë të gjithë të pandehurit.
Me këto veprime, të pandehurit kishin për të kryer veprën penale – Kultivimi i bimës se hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Po ashtu, të pandehurit e lartëcekur, pa autorizim kanë poseduar me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrimit për shitje, substancën të dyshuar për narkotikë, të llojit marihuanë, të shpallur me ligj si narkotik, të cilat i kanë siguruar nga kultivimi i bimës narkotike, të siguruara në rrethana të përshkruara si më lartë, e të cilën substancë e kanë ofruar për shitje apo shpërndarje personave të tjerë tani për tani të pa identifikuar.