Përfaqësues të policisë në Prizren, kanë njoftuar se kohët e fundit janë identifikuar dhe kapur disa shpërndarës të substancave narkotike përreth shkollave të Prizrenit, ndërsa sipas tyre kjo ka ndikuar për zvogëlimin e rasteve të kësaj natyre, sikurse edhe të përdoruesve, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Çështja e drogës përreth institucioneve arsimore të Prizrenit tashmë përbën një shqetësim. Mbështetur në shënimet e Prokurorisë Themelore (PTH) të Prizrenit, gjatë vitit 2017, për veprat që kanë të bëjnë me narkotikë në punë kanë qenë 30 kallëzime penale, ndaj 43 personave. Gjatë kësaj kohe janë kryer 16 raste për të mitur, në të cilat janë akuzuar 22 persona për posedim dhe shitje të drogës.
Hashashi është droga fillestare, eksperimentuese. Persona të moshës rinore tashmë pothuajse kanë filluar të flasin hapur mes shokësh për cigare të cilat përmbajnë hashash. Një i ri prizrenas, që punon në një lokal, me kusht anonimiteti, tha për “Gazetën e Prizrenit” se kur ndodh që ndonjë shok të jetë i disponuar, ata zakonisht tallen se “paska pirë ndonjë gazmore”. “Kur themi gazmore, bëhet fjalë për hashashin”, tregon ai.
Në pranverë të këtij viti, njoftohet se një nxënësi të klasës së XI, në gjimnazin “Gjon Buzuku” i është gjetur një mesazh, përmes të cilit i kërkonte një dileri ofertë më të lirë për drogën.
Gjatë një raportimi për situatën e sigurisë për periudhën gusht-tetor të këtij viti, në mbledhjen e fundit të Këshillit Komunal të Sigurisë në Bashkësi të Prizrenit, që vepron në kuadër të Komunës, e ku bëjnë pjesë akterë të rëndësishëm të sigurisë, përfaqësues të dy stacioneve policore në Prizren kanë njoftuar për rezultate të aksionit “Stop-drogës” që është shtrirë edhe tek institucionet shkollore.
Vebi Zekolli, zv/komandant në stacionin e policisë “Alfa” në Prizren, ka thënë se janë identifikuar dhe arrestuar disa persona për të cilët dyshohet se janë dilerë të drogës, por ai nuk ka konkretizuar se për sa persona bëhet fjalë.
Ai ka treguar se një personi nga Prizreni në kufi i janë kapur rreth 30 kilogram drogë.
Policia përmes pjesëtarëve të saj, përfshirë edhe ata me rroba dhe vetura civile shpesh patrullon në afërsi të shkollave, sidomos atyre të mesme. Hasan Tërshani, nga Stacioni i Veriut, që ndodhet në Lubizhdë të Prizrenit ka thënë se për cështje të sigurisë janë vizituar mbi 40 shkolla. “Me këtë rast kontaktohet personeli i shkollave për të parë problemet eventuale”, ka thënë ai.
Sipas disa informacioneve nga policia, të konfirmuara edhe nga disa të rinj, qesja më e lirë që përmban marihuanë, në tregun e Prizrenit shitet për 5 euro. /GazetaePrizrenit.net/