Dua Lipa: Kosova ka përcaktuar atë që jam sot
“Dua Lipa është e ardhmja e muzikës pop”, shkruhet në revistën amerikane “ELLE”, ku Dua është në kopertinën e muajit maj. Në një intervistë me shkrimtaren dhe editoren Lauren Levy, Dua rrëfen mbi disa nga sukseset e fundit, planet për të ardhmen, duke përmendur gjithashtu edhe vendlindjen.
Dua thekson se për të ”është shumë e rëndësishme që të punojë për fuqizimin e grave në muzikë”. Sipas Duas, frymëzimi dhe ndikimi tek masa është një pjesë thelbësore e muzikës si art.
Sigurisht që siç ndodh në shumicën e intervistave, nuk mund të mungonte pyetja në lidhje me origjinën e saj.
”Kosova ka përcaktuar atë që jam sot. Kur je nga Kosova ose Shqipëria krijohet një strereotip për ty. Në filma shqiptarët portretizohen me mafian. Po përpiqemi të ndryshojmë mënyrën si njerëzit e shohin vendin tonë”, u shpreh Dua Lipa.
Gjithashtu ajo foli dhe për albumin e saj të ardhshëm që pritet të jetë një ndërthurje e disa rrymave.
”Shpresoj të nxjerr albumin në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm. Nuk e kam vendosur ende listën e këngëve që do përmbajë. Shpresoj që të gjithë t’i këndojnë. Një nga arsyet pse bëj muzikë është mesazhi ”bëj muzikë me shpresën se dikush tjetër ndihet njësoj”, u shpreh Dua Lipa për albumin që pritet të dal. /atsh/ KultPlus.com