Duda Balje jep dorëheqje nga partia, tregon se çfarë i ka ndodhur gjatë fushatë
Balje e cila ka fituar vota të mjaftueshme për t’u bërë deputete edhe në legjislaturën e radhës, thotë se dorëheqja e saj nga VAKAT-i është e pakthyeshme, ndërkohë ka listuar edhe një sërë kritikash ndaj anëtarëve të partisë.
Ajo thotë se kjo dorëheqje vjen pas sulmeve të orkestruara ndaj saj, përhapjen e gënjeshtrave për punën që ka bërë, si dhe krijimin e një konkurrencë të panevojshme brenda partisë. Ajo thotë se disa persona madje janë munduar që të paraqesin edhe si “armike të partisë”.
Ajo thotë se kjo ka qenë një prej goditjeve më të mëdha që ka marrë, pas gjithë punës që ka bërë për partinë dhe për komunitetin boshnjak, raporton Gazeta Express.
Tutje Balje ka thënë se ka pasur edhe margjinalizim të anëtarëve më të vjetër të partisë dhe atyre me përvojë, dhe potencon se gjithashtu ka pasur mungesë të transparencës në vendimmarrje e shpenzime të financave.
Angazhimin politik ka treguar se do ta vazhdojë si pjesë e grupit parlamentar 6+, përmes të cilit thotë se do të vazhdojë të luftojë për interesat e boshnjakëve edhe në legjislaturën e ardhshme.