26-11-2024

Dy kosovarë të vdekur në aksidentin në tunelin e Kalimashit (“Rruga e Kombit”)

Dy qytetarë nga Kosova kanë humbur jetën në një aksident trafiku në tunelin e Kalimashit.

Aksidenti i rëndë ndodhi pasditen e kësaj të mërkure në aksin rrugor Milot-Morinë. 3 automjete u përplasën me njëra-tjetrën, mes të cilave një autobot. Pasojat janë tragjike. 2 persona humbën jetën, ndërsa 3 të tjerë mbetën të plagosur.

 

“Rreth orës 17:45, në tunelin e Kalimashit, janë përfshirë në një aksident rrugor automjetet tip “Benz” me drejtues shtetasin A. B., banues në Tropojë, automjeti tip “Ford”, ku udhëtonin shtetasit S. O., N. O., dhe I. L., banues në Kosovë, si dhe autoboti me drejtues shtetasin Sh. S., banues në Kosovë. Nga aksidenti kanë humbur jetën dy shtetas, ndërsa 3 shtetasit e tjerët po marrin mjekim dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit“, tha policia e Kukësit në një njoftim paraprak për mediat.

Ndërsa në një njoftim të dytë policia sqaroi se viktimat janë dy qytetarë nga Kosova, që ishin pasagjerë në një prej makinave.

“Në lidhje me aksidentin e ndodhur në tunelin e Kalimashit, ku u përfshinë në një aksident rrugor automjetet tip “Benz” me drejtues shtetasin A. B., banues në Tropojë, automjeti tip “Ford”, me drejtues shtetasin I.L., banues në Kosovë, dhe autoboti me drejtues shtetasin Sh. S., banues në Kosovë, ju informojmë se shtetasit që kanë humbur jetën janë S. O., 58 vjeç, dhe N. O., 45 vjeç, banues në Kosovë, pasagjerë në automjetin tip “Ford””, tha policia në një informacion për mediat.

Si pasojë e aksidentit të rëndë, njëra korsi e Rrugës së Kombit u bllokua./tvklan.al

Asnjë koment

Comments are closed.