23-11-2024

Me dy lojtarë të Lirisë – sukses historik i Namibisë, eliminohet Tunizia 

Namibia për herë të parë do të paraqitet në fazën nokaut të Kupës së Afrikës në futboll.

Të mërkurën mbrëma, Namibia luajti pa gola me Malin dhe e arriti suksesin historik.

Namibia ka përfunduar e treta në Grupin E me katër pikë, sa i ka edhe Afrika e Jugut në pozitën e dytë. Mali e fitoi grupin me pesë pikë.

Namibia kualifikohet si njëra prej katër përfaqësueseve më të mira të vendit të tretë. Nga grupi E eliminohet Tunizia, që ishte favorite. Tunizia mbeti e fundit me vetëm dy pikë.

Dy lojtarët e Lirisë së Prizreni, Prins Tjiueza dhe Aprocious Petrus startuan te Namibia.

Petrus luajti deri në fund në mesfushë, ndërsa sulmuesi Tjiueza u zëvendësua në minutën e 79-të.

Namibia për herë të katërt paraqitet në Kupën e Afrikës dhe për herë të parë kalon grupin.

Në ndeshjen tjetër të grupit, Afrika e Jugut e Tunizia luajtën po ashtu pa gola.

Tunizia ishte kampione në vitin 2004, ndërsa në vitin 2019 ishte e katërta. Në edicionin e kaluar, në vitin 2021, arriti në çerekfinale. U paraqit mirë edhe në Botërorin 2022, por nuk avancon në Kupën e Afrikës. / Koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.