Dy persona arrestohen në autostradën “I. Rugova” me mar’ihu’anë
Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Kështu, Sinjali mëson se një ndalim rutinë në autostradën “Ibrahim Rugova” ka rezultuar me arrestimin e dy personave që dyshohet se posedonin substanca narkotike.
Sipas të dhënave të siguruara nga Sinjali, dje, rreth orës 00:50, njësia e trafikut që mbikëqyr autostradat ka ndaluar një automjet të tipit VW me targa 1HXO, në të cilin ndodheshin dy persona – Y. Shala, rreth 42-vjeçar dhe A. Sabiç, rreth 37-vjeçare.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka gjetur një sasi prej rreth 20 gramë të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, i cili ka lëshuar vendim për ndalim prej 48 orësh ndaj të dyshuarve.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.