Dy qytetarë tentojnë t’u japin ryshfet policëve në pikën kufitare në Vërmicë – arrestohen
Përpjekjet për të korruptuar zyrtarët policorë në pikat kufitare, ndonëse janë zvogëluar ndjeshëm falë ndërhyrjeve të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ende nuk kanë pushuar plotësisht. Kjo dukuri, që është e pranishme edhe në vendet e rajonit, mbetet një mjet i ndaluar që qytetarët përpiqen ta përdorin për të “zgjidhur” problemet e tyre me para nën dorë.
Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se vetëm dje, në pikën kufitare të Vërmicës, janë arrestuar dy persona nën dyshimin se kanë tentuar t’u japin ryshfet zyrtarëve policorë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se të arrestuarit në dy raste të ndara janë: Baki Zeqiri dhe Armin Kuraç.
Të njëjtit janë proceduar penalisht për veprën “Dhënie e ryshfetit”, ndërkohë që Prokuroria Themelore në Prizren ka nisur hetimet ndaj tyre. Në ditët në vijim pritet të merret edhe një vendim final lidhur me këto raste.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.