03-03-2025

Dy të dyshuar mbajtën me forcë dhe e rrahën 38-vjeçarin në Suharekë, shkak borxhi

Borxhet prej qindra e mijëra eurove shumë shpesh kanë shkaktuar incidente dhe kanë eskaluar në sulme e kërcënime serioze – madje edhe në rrëmbim e privim nga liria. Një incident i tillë ka ndodhur së fundmi në Suharekë, ku Policia arrestoi dy persona të dyshuar, të cilët përfunduan në ndalim, raporton Gazeta Sinjali.

Dy të dyshuarit kanë privuar nga liria e lëvizjes viktimën 38-vjeçar, të cilin e kanë sulmuar dhe kanosur për shkak të një borxhi.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personat e dyshuar për keqtrajtimin e viktimës janë H e A. Gashi.

Bazuar në informacionet që ka Sinjali, të njëjtit e kanë mbajtur me dhunë viktimën në gjellëtoren e tyre “Te Hamzia”, ku e kanë rrahur dhe më pas e kanë kërcënuar lidhur me mosmarrëveshjen mes tyre për borxhin që kap vlerën e rreth 60 mijë eurove.

Pasi Policia arriti të intervenojë, të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ndërsa viktima është dërguar për trajtim mjekësor.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se gjatë aksionit për kapjen e të dyshuarve janë sekuestruar disa telefona.

Ndaj të dyshuarve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.