Dy të rinj grabitën të moshuarën në Prizren, prangoset edhe i dyshuari i dytë pas ekstradimit nga Shqipëria
Gazeta Sinjali ka siguruar detaje ekskluzive për rastin e një grabitjeje që tronditi Prizrenin më korrik të vitit 2022, ku viktimë ishte një e moshuar.
Ngjarja kishte ndodhur më 22 korrik 2022, pranë QKMF-së në Prizren, kur dy persona – Orgito Hoxha rreth 21-vjeçar dhe Kristjan Hasanaj (24 vjeç) – me forcë i kishin grabitur një gruaje të moshuar, S. M. rreth 74-vjeçare një qafore ari dhe një lirë me vlerë rreth 1,000 euro.
Hetimet intensive të Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor të Prizrenit çuan në identifikimin e të dyshuarve, të cilët u shpallën në kërkim. Orgito Hoxha ishte arrestuar më 27 korrik 2024, ku në prezencë të avokatit kishte pranuar tërësisht veprën penale. Prokurori i Krimeve të Rënda kishte lëshuar aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.

Ndërkohë, i dyshuari i dytë, Kristjan Hasanaj, që ishte në arrati, u sigurua më 9 shtator 2025, pas ekstradimit nga autoritetet shqiptare. Ai është marrë në pyetje nga Prokuroria e Shtetit – Departamenti i Krimeve të Rënda dhe pasi është ballafaquar me provat, në prani të avokatit ka pranuar gjithashtu fajësinë. Edhe ndaj tij është lëshuar aktvendim për ndalim 48 orësh.
Me arrestimin e të dyshuarit të dytë, hetimet për këtë rast janë përfunduar dhe të dyshuarit së shpejti do përballen me gjykatën!